Dy javë pa seancë, Kuvendi nuk e ka në agjendë caktimin e mbledhjes

Aktuale

Dy javë pa seancë, Kuvendi nuk e ka në agjendë caktimin e mbledhjes

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 16:29
Kuvendi i Kosovës

Para dy javësh Kuvendi i Kosovës kishte zhvilluar punimet e fundit të seancës plenare.

Në përfundimin e kësaj seance Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i kishte mbyllur punimet duke thënë se javën e ardhshme do t’i njoftojë deputetët për seancën e radhës.

“Do ta vazhdojmë seancën ju ftoj në një moment të caktuar. Javën e ardhshme ju njoftoj”, tha Veseli.

Edhe pse Veseli kishte deklaruar se do t’i njoftoj deputetët për seancën e radhës, kanë kaluar tashmë dy javë dhe nuk është ftuar mbledhja e kryesisë për caktimin e seancës.

Sipas platformës së KDI-së, “Vota ime”, progresi i përmbushjes legjislative të Kuvendit për vitin 2018, është vetëm 27 për qind.

Sipas të dhënave, këtë vit janë miratuar 46 ligje nga 169.

“Janë miratuar 46 ligje, 69 janë në procedurë dhe 56 janë në pritje”, thuhet në këtë platformë.

Ndërkohë, Kuvendi po hynë në një nga periudhat me të ndjeshme, pasi në fund të vitit duhet të kalojë Ligji i Buxhetit për vitin 2019.

Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, është pyetur nga KALLXO.com se cila ka qenë arsyeja se pse nuk është thirrur mbledhja e kryesisë dhe pse nuk ka pas seancë as javën e kaluar as këtë javë. Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës ka kthyer përgjigje se nuk ka qenë në agjendë.

“Nuk kanë qenë në agjendë”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun nuk ka dhënë as informacione shtesë për seancën e radhës.

“Paraprakisht do të njoftoheni nëpërmjet ueb faqes së Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit për kohën e mbajtjes së seancës.

Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës , tha se nuk kanë pasur ftesë prej kryetarit.

“Nuk kemi pas ftesë prej kryetarit, me rregullore kryetari thirrë seancë dhe nuk kemi pas ftesë në ndërkohë”, tha Dërguti.

Ndryshe në Rregulloren e Kuvendit, në nenin 39 pika 3 thuhet se “Kryesia e Kuvendit e cakton datën dhe vendos për rendin e ditës së mbledhjes së Kuvendit”.

Ndërkaq, pika 4 e këtij neni thotë se “Mbledhjet plenare të Kuvendit mbahen zakonisht dy herë në muaj. Java plenare fillon zakonisht ditën e enjte. Kryesia, në bashkëpunim më kryetarët e grupeve parlamentare, mund t’i shmanget këtij rendi kurdo që e konsideron të nevojshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat