Këto janë pyetjet që duhet shtruar Vuçiqit në tavolinë!

Aktuale

Këto janë pyetjet që duhet shtruar Vuçiqit në tavolinë!

Nga: N.Sh Më: 5 tetor 2018 Në ora: 22:54
Aleksandër Vuçiq

Serbia po vazhdon provokimet dhe kërcënimet e saj ndaj Republikës së Kosovës.

Po thuasje nuk ka ditë që nuk e thonë bëjnë ndonjë provokim apo kërcënim nga Kosovës.

Për këtë, profesor Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, thekson se, është e pakuptueshme që një shtet si Serbia, e cila i humbi të gjitha luftërat e fundit në Ballkan, prapë të na kërcënojë me luftë!

Sipas tij, Serbia, fatkeqësisht nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e vet e afërt!

Image
Faton Kurti

“Deklaratat konstante luftënxitëse nga qeveria e Vuçiqit ndaj Republikës së Kosovës janë të papranueshme dhe duhen dënuar menjëherë me rreptësinë më të madhe me anë të sanksioneve ekonomike nga BE-ja dhe SHBA. Personalisht mua, nuk më duket aspak e çuditshme, pse Serbia ende sot vazhdon me politikat e saj kërcënuese ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. Janë disa arsyet, por kryesorja është autorizimi që Thaçi u ka dhënë teksa flet për ndarje të territorit të Kosovës dhe nga qëndrimi evaziv dhe i paargumentuar i politikanëve shqiptarë të cilët janë ulur në tavolinën e bisedimeve pa i bërë të qarta vijat e kuqe, të cilat assesi nuk bën të tejkalohen, Serbia mban ende pozicionin e të fortit e të atij që dikton linjat e bisedës”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Ai pyet se, si mund të dialogohet me një politikan dyfytyrësh si Vuçiqi dhe të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë, kur ky nga një anë flet për dialogun e nga ana tjetër na kërcënon me luftë.

“A mund ti besohet një politikani, i cili vetëm një ditë pas uljes në negociata dhe takimit në Bruksel deklaron për një portal serb: "E çfarë, nëse gjatë kësaj vere dikush niset me e marrë Veriun e Kosovës"? Edhe pse Serbia, prej vitesh e përdor politikën e "salto mortale" të një agresori duke kërcënuar fqinjët e vet, ndaj të cilëve vetëm disa vite më parë kreu gjenocid të paparë dhe kështu duke e futur  tërë rajonin e Ballkanit në luftë – megjithatë Serbia është privilegjuar nga BE për vite me  radhë, duke ju dhënë Liberalizimin e Vizave dhe Kandidaturën për të hyrë në BE, para Kosovës! Kjo lojë e politikës serbe mund të ndalet vetëm me sanksione të menjëhershme ndaj Serbisë nga BE dhe SHBA dhe bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten menjëherë – përndryshe një ditë mund të bëhet vonë nëse Serbia i bënë realitet kërcënimet e luftës”, potencon ai.

Kurti thekson se, akti i Thaçit në Ujman ishte një lëvizje e tij, për të larguar vëmendjen nga protesta madhështore e 29 Shtatorit në Prishtinë, Serbia nuk ka fare të drejtë të na flasë me nota alarmi dhe të na kërcënojë me luftë.

“Si mund të flitet sërish për luftë kur ende nuk janë zbardhur krimet e së kaluarës, derisa në Medvegjë sapo është zbuluar një varrezë masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë? Komisioni Rajonal për zbulimin e fakteve mbi Krimet e Luftës, në afërsi të Medvegjës në kufi me Kosovën ka zbuluar një varrezë masive ku siç duket janë varrosur fëmijë, gra dhe burra shqiptarë. Kjo është një tjetër arsye shumë e fortë që bisedimet me një qeveri kriminele si kjo e Vuçiqit të ndërpriten menjëherë. Duhet të kërkohet nga Serbia që menjëherë të zbulohen, evidentohen kufomat e shqiptarëve të vrarë dhe tu kthehen të gjitha eshtrat e të zhdukurve tek familjarët e tyre në Kosovë. Njëkohësisht të arrestohen të gjithë kriminelët serbë të cilët i bënë këto krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë”, shton Kurti.

Ai propozon që gjatë bisedimeve Vuçiqit t'i vihen këto pyetje para hundës në tavolinë.

“A ndjeni gjëkund pendesë për krimet e tmerrshme që u kryen ndaj 18 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar? Si do t’ua ktheni jetën dhe pafajësinë 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës? Ku i mbani fshehur skicat dhe hartat e varreve masive dhe listat e 1700 shqiptarëve të zhdukur me urdhrin tuaj dhe të shefave tuaj? A do kërkoni ndonjëherë falje për shtëpitë e djegura, për tokat e minuara, për fëmijët e gjymtuar dhe masakruar, për inteligjencën kosovare që e zhdukët pa nam e pa nishan? Si keni ndërmend të paguani për dëmet ekonomike të përllogaritura nga ekspertë të komunitetit evropian rreth 3 miliardë euro? Kur do ta njihni Pavarësinë e Kosovës dhe kur do të pushoni së luajturi lojën me dy porta kinse doni të hyni në Evropë por në realitet çdo mbrëmje pushoni në shtratin rus? E kjo, duke mos e cekur aspak krye kushtin me të cilin qeveritarët e Kosovës duhet të kishin shkuar në negociata: Njohja e pavarësisë së Kosovës”, thekson Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat