Albin Kurti godet përsëri Hashim Thaçin: Është i vetmuar, e ka popullin kundër

Aktuale

Albin Kurti godet përsëri Hashim Thaçin: Është i vetmuar, e ka popullin kundër

Nga: N.H Më: 7 tetor 2018 Në ora: 18:36
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se presidenti Hashim Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për "kompromis të dhimbshëm" mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi, pasi siç thotë ai e ka popullin kundër.

Kurti me tej thotë se vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e Kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti deklaron se pas protestës së 29 shtatorit, Thaçi nuk mund të bëjë marëveshje me Vuçiqin. Ndërsa, thekson se Kuvendi nuk duhet ta ndihmojë atë me rezolutën që ai do ta bëjë llastik.

Ja postimi i plotë i Kurtit:

Dimri i vetmisë së madhe?

Dihet që Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për "kompromis të dhimbshëm" mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi dhe e ka popullin kundër. Madje, ai nuk ka as platformë me parime për negociata dhe as ekip negociator. Është i vetmuar. Kështu duhet të ngelet, sepse vetëm kësisoj nuk do të ngjajë ai "kompromisi i dhimbshëm" i paralajmëruar. Thaçi medoemos synon një letër nga Kuvendi, një dokument nga Kuvendi, rezolutë apo çkado qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel.

Vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e Kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president. Pse do të ishte ndryshe me rezolutën e ardhshme?! Thaçi do rezolutë pikërisht që të mund ta shkelë atë! Nëse "ligji është si llastiku", rezoluta është aq më tepër e tillë. Kuvendi që njëmend mbron republikën e demokracinë do t'i bënte rezolutë denoncuese e kundërshtuese Thaçit për shkeljet që ai bëri këtë verë, e jo për vazhdimin e tyre në vjeshtë e dimër. Prandaj, shumë më e fuqishme është mungesa e rezolutës sesa ndonjë rezolutë e fuqishme.

Pas protestës së 29 shtatorit, Thaçi nuk mund të bëjë marëveshje me Vuçiqin. Kuvendi nuk duhet ta ndihmojë Thaçin me rezolutën që ai do ta bëjë llastik. Populli është me opozitën. Ai nuk i nënshtrohet një njeriu. Duhet të qëndrojmë. Dhe, Thaçin e pret dimri i vetmisë së madhe, pa një rezolutë që do shërbente si dhjami për arushën. Ndërkaq, për neve vjen pranvera, e cila nuk e pret dimrin të mbarojë. Kush qëndron, fiton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat