Haradinaj: Është zvogëluar me mbi 95 përqind numri i azilkërkuesve nga Kosova

Aktuale

Haradinaj: Është zvogëluar me mbi 95 përqind numri i azilkërkuesve nga Kosova

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 09:37
Ramush Haradinaj në takimin e Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit

(E plotësuar) - Bashkimi Evropian dëshiron të sigurohet se me rastin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk do të përballet me migrimin e qytetarëve nga Kosova drejt shteteve të zonës Schengen.

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, institucionet vendore kanë bërë punë të mirë për çështjen e migrimit, sepse numri i azilkërkuesve nga Kosova ka shënuar rënie të madhe.

Në takimin e Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit,  Haradinaj përmendi edhe shifra duke thënë se përderisa në vitin 2015, numri i azilkërkuesve nga Kosova ishte 67 mijë, në vitin 2018 ky numër është vetëm 2 mijë e 800.

Haradinaj: Nga 2015 deri më sot, shifrat e azilkërkuesve kanë rënë drastikisht

“Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial, dhe shifrat e azilkërkuesve kanë ra drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot, kemi rënie të azilkërkuesve me mbi 95 përqind, prej 67 mijë në 2015, rënie pra në 2 mijë e 800 në vitin 2018, por ne duhet të punojmë më shumë, pra qytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë, me Kosovën në Bashkimin Evropian. Kosova nuk do të eksportojë kriminalitet dhe pasiguri në BE, por qytetarë të ndershëm, turistë, studentë, sipërmarrës, dhe njerëz që do të udhëtojnë në BE për nevoja pune”, tha Haradinaj.

Në opinionin publik vazhdimisht ka pasur zëra që flasin për largimin e qytetarëve nga vendi, në rast të arritjes së liberalizimit të vizave. Kryesisht kushtet e rënda ekonomike, kanë bërë që shumë sondazhe të tregojnë për shifra të larta të qytetarëve që do të braktisnin shtetin.

Në fillim të këtij viti, në mes të gazit lotsjellës, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke lënë si kusht të mbetur luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, në mënyrë që shteti i vetëm i izoluar në regjion, të gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë. 

***

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është duke e kryesuar Takimin e Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit.

Haradinaj ka bërë të ditur se në takim ku janë të pranishëm udhëheqësit kryesor të institucioneve të rendit dhe ligjit temat kryesore janë rastet e shënjestruara dhe migracioni.

“Meqenëse këto dy tema si të këtilla janë me rëndësi, ne jemi mbledhur në takimin e radhës, që në finalen tonë të vendimit përfundimtar për liberalizimin e vizave, çështja e migrimit si një prej çështjeve kryesore që BE dëshiron të sigurohet, që nga Kosova nuk do të ketë migrim ndaj shteteve të BE-së”.

Sipas shefit të Qeverisë, shifrat e azilkërkueseve nga Kosova kanë shënuar rënie.

“Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial dhe shifrat e azilkërkuesve kanë rënë drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve mbi 95 % por ne duhet të punojmë më shumë”.

“Bashkëqytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe me Kosovën në BE”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat