Trajtimi i ujërave të zeza, Haradinaj kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët - Bota Sot
Trajtimi i ujërave të zeza, Haradinaj kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët

Aktuale

Trajtimi i ujërave të zeza, Haradinaj kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 14:05
Kryeministri Ramush Haradinaj

Gjatë ceremonisë përuruese të fazës së dytë të impiantit të trajtimit të ujit të pijes në Gjakovë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se trajtimi i ujit do të mbetet betejë e vazhdueshme për Kosovën.

“Luftat nuk kanë me ndodhë për naftë, por mendojmë që lufta për jetën cilësore do të jetë lufta për ujin. Ata popuj që dinë me respektu ujin, me trajtu si duhet dhe me siguru që me pasë gjithnjë, janë popuj më të meçëm. Ne në Kosovë kemi bërë shumë dhe mundemi me u mburrë që kemi fituar luftën për rrugë. Mirëpo beteja e vazhdueshme e përjetshme do të mbetet trajtimi i ujit”.

Haradinaj tha se duhet të punohet edhe më shumë që Kosova të ketë ujëmbledhës.

“Kosova është burim i ujit, por të gjitha ato ujëra brenda 24 orësh e lëshojnë Kosovën. Ne ende kemi problem me ujëmbledhës. Duhet të punojmë më tutje që të kemi ujëmbledhësa në Kosovë. E kemi Ujmanin, Badovcin, por mund të kemi edhe të tjerë. Inkurajoj krutë tjera që të pranojnë këtë garë dhe të bëjnë punë që ta fitojnë betejën për ujë”.Ai kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët për trajtimin e ujërave të zeza pasi që, sipas kreut të Qeverisë, kostoja është shumë e lartë.

“Kostoja është shumë e lartë për trajtimin e ujërave të zeza dhe këtu e kërkojmë ndihmën e miqve tanë. “Për shkak se ne e kemi obligative përballjen me trajtimin e ujërave të zeza dhe sikurse e dimë Kosova ende nuk e ka fillu këtë. Kemi shumë punë. Ky nuk është ujë i Kosovës, është ujë i Evropës. Qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë të Kosovës, janë qytetarë evropianë. Ne dëshirojmë pra ashtu siç dëshirojmë me u bë evropianë, me lëvizë lirshëm, me u bë anëtarë të Interpolit, pra dëshirojmë të bëhemi Evropë edhe sa i përket ujit, pra trajtimit të ujërave të zeza”.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë së Shqipërisë, tha se investimet në Kosovë gëzojnë qeverinë shqiptare, raporton EO.“Sfida e ujit është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona. Gëzohem kur bëhen vepra të mira në Kosovë”.

Kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi qeverinë për përkrahje.

“Neve na duhet ndihma e qeverisë për ndërrimin e gypave të azbestit, na duhet mbështetje edhe te kolektori. Dua të falënderoj drejtorin, të falënderoj të gjithë ata që janë angazhu që ky projekt me përfundu sot”.

Kurse drejtori i KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, tha se me ndërtimin e fazës së dytë të kësaj kompanie, nga 500 litra kapaciteti do të rritet në 1000 litra në sekondë.

“Ka qenë e paraparë të përfundohet në vitin 1995, por nuk është realizuar deri më tani. Finalizimi i këtij projekti i fazës së dytë dhe renovimi i objektit të vjetër ka kushtuar 7 milionë euro. Me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra për sekondë në 1000 litra për sekondë”.Ahmeti bëri të ditur edhe planet për vitet e ardhshme.“Do të vazhdojmë me projekte të radhës për 31 fshatra të Rekës së Keqe e që do të përfundojë në tetor të vitit 2019. Furnizimi i këtyre fshtarave do të bëhet nga Bjeshkët e Nemuna”.

Impianti i parë  i trajtimit të ujit të pijes në Gjakovë është ndërtuar në vitet 1978-1985. Vlera investive ishte 128 milionë dollarë, me kapacitet 500 litra për sekondë.Ndërsa ndërtimi i impiantit të dytë ka filluar në vitin 2015. Vlera e investimit është mbi 6 milionë e 920 mijë euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...