Rrahja brutale e të rinjve në Serbi, pse nuk reagoi Presidenti Thaçi

Aktuale

Rrahja brutale e të rinjve në Serbi, pse nuk reagoi Presidenti Thaçi

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 11:56
Hashim Thaçi

Dy të rinj shqiptarë janë rrahur brutalisht gjatë mesnatës së të dielës nga disa të rinj serbë në rrugën "Futoshka", në Novi Sad të Serbisë. Sipas raportimeve të mediave serbe, që të dy kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërkohë që për njërin, raportohet se gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë. Këta ndodhen në spitalet në Serbi.

Rreth kësaj ngjarjeje të rëndë asnjë fjalë nuk e ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pavarësisht se gjatë ditës së hënë i njëjti i ka pasur disa paraqitje mediatike.
Presidenti, Hashim Thaçi, nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme rreth rrahjes brutale së dy qytetarëve kosovarë në natën mes të shtunës dhe dielës, në rrugën "Futoshka" në Novi Sad të Serbisë. 

Thaçi gjatë ditës së djeshme është marrë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, si dhe me idenë e tij për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por në deklarimet të cilat Thaçi i bëri dje në orët e vona të pasdites nuk e dha asnjë reagim rreth rrahjes së dy kosovarëve.

Presidenti reagime nuk bëri as në rrjetin e tij social në Facebook, aty ku Thaçi në të shumtën e rasteve deklarohet për zhvillimet e fundit në vend. 

Por rreth kësaj ngjarjeje kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë shtetërorë kosovarë. Kryeministri Haradinaj dje përmes një starusi në Facebook, ka thënë se ky akt është i pashembullt si dhe si i tillë duhet hetuar nga institucionet serbe, si dhe qytetarëve kosovarë duhet t’u mundësohet lëvizja e lirë. Po ashtu nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar edhe Kadri Veseli e Behgjet Pacolli si dhe Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA e cila ka kërkuar hetim të pavarur nga organet e hetuesisë në Beograd rreth këtij akti.

E zyrtarë nga policia në Serbi kanë njoftuar se sot gjatë ditës kanë bërë arrestimin e katër personave të cilët dyshohet se i kanë rrahur brutalisht të dy të rinjtë shqiptarë në Novi Sad.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq deklaroi se “Policia, pas një hetimi intensiv një disa shtigje, ka identifikuar të gjithë sulmuesit që rrahën dy të rinj dhe ka arrestuar katër persona të dyshuar për këtë vepër penale”.

Sipas tij, janë gjetur edhe rrobat që i kishin të veshura të dyshuarit të dielën në mëngjes me rastin e sulmit, që është e rëndësishme për vazhdim të hetimeve. Tutje ministri Stefanoviq, tregon se ky incident nuk është kryer në baza etnike.

Kujtojmë se mes natës së të shtunës dhe të dielës, dy shqiptarë të Kosovës u sulmuan brutalisht në Novi Sad. Njëri nga të sulmuarit, Çlirim Maloku, 19 vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime të rënda në kokë, ka thënë se sulmi ka ndodhur pasi grupi i serbëve i ka dëgjuar këta dy teksa flisnin shqip.

Të martën, në mëngjes ndërkaq është bërë me dije se policia serbe ka arrestuar 4 persona për këtë sulm brutal./GazetaExpress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat