Miratohet raporti për Kosovën, Sholtes përmend shansin e madh për vizat

Aktuale

Miratohet raporti për Kosovën, Sholtes përmend shansin e madh për vizat

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 16:36
Igor Sholtes

Sot Komiteti për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian (AFET), ka votuar për Raportin e Progresit për Kosovën. Ky raport është aprovuar me 42 vota për, 10 kundër dhe 6 abstenime.

Pas këtij votimi, ka folur raportuesi i Parlamentin Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, i cili ishte shprehur i kënaqur me rezultatin e votimit.

Ai ka thënë se tashmë Kosova përpara e ka shansin e madh për të marrë liberalizimin e vizave.

“Kosova është aktualisht në një pikë vendimtare për të marrë liberalizimin e vizave, i cili do t’i jepte Kosovës mundësinë për të lëvizur drejt një shoqërie moderne. Për ta arritur këtë, nevojitet luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përpjekje gjithashtu duhet të ketë edhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm të biznesit dhe forcimin e një gjyqësori dhe zbatimin e ligjit”, ka thënë Sholtes. 

Sholtes ka thënë se vlerësimet për raportin janë pozitive, megjithatë me disa vërejtje për mjedisin, arsimimin, pakicat, papunësinë si dhe përmirësimin e lirisë së gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Ai ka thënë se Parlamenti Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetës dhe aleat i Republikës së Kosovës.

Sipas tij, stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit dhe rajonit është me një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Çdo përparim i bërë në këtë drejtim do të jetë gjithmonë i mbështetur nga ana jonë”, ka thënë Sholtes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat