Pacolli kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Aktuale

Pacolli kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 21:07
Behxhet Pacolli

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Armeni dhe pjesëmarrjes në Konferencën e Frankofonisë në kryeqytetin armen, Jerevan, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar takime të ndara me disa homologë të tij, me të cilët ka diskutuar mbi shqyrtimin e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh dhe ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit në Organizatat Ndërkombëtare, me theks të veçantë në INTERPOL.

Siç njofton MPJ, gjatë ditës së martë, kryediplomati kosovar, takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Guineas, Mamady Toure, atë të Nigerit, Kalla Ankourao, si dhe ministrit të deleguar për Frankofoni, nga Republika e Afrikës Qendrore, Chancel Sekode Ndeugbayi.

“Takim shumë miqësor më Ministrin e Punëve të Jashtme të Guineas, Mamady Toure, me të cilin patëm një shkëmbim të rëndësishëm të ideve në lidhje me bashkëpunimin mes dy vendeve. E falënderova për përkrahjen e fuqishme, që po na ofron në procesin e anëtarësimit në Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare. U pajtuam të organizojmë vizita me qëllim të shqyrtimit të mundësive të bashkëpunimit dhe i premtova, që Republika e Kosovës tashmë ka krijuar një përvojë, të cilën mund ta ndajë me këtë vend, veçanërisht në fushën e legjislacionit apo praktikave policore”, ka deklaruar Ministri i Jashtëm Pacolli, pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Guineas, Mamady Toure.

“Pata nderin dhe kënaqësinë të takojë Ministrin e Punëve të Jashtme të Nigerit, Kalla Ankourao, me të cilin diskutuam vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si dhe diskutuam mbi mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Po ashtu, vlerësuam se do të ishte me rëndësi të propozohen Konsuj Nderi, me qëllim intensifikimin e shkëmbimeve mes dy vendeve. Gjatë takimit diskutuam edhe për sfidat dhe arritjet e vendeve tona, ku theksova rëndësinë e përkrahjes së Republikës së Kosovës në synimin e saj për afirmim ndërkombëtar, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe posaçërisht përkrahjen e Nigerit në lidhje me anëtarësimin në INTERPOL.  Po ashtu, diskutuam edhe për sfidat ekonomike dhe zhvillimore”, është shprehur numri dy i Qeverisë, pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Nigerit, Kalla Ankourao.

Një takim tjetër të rëndësishëm, Ministri i Jashtëm, Pacolli, e ka zhvilluar edhe me ministrin e deleguar për Frankofoni, nga Republika e Afrikës Qendrore, Chancel Sekode Ndeugbayi.

“Republika e Afrikës Qendrore, vendi që ka njohur Kosovën në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, është vend jashtëzakonisht i rëndësishëm.  Ne, do të thellojmë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet të rëndësishëm afrikan. Këtë ia komunikova edhe ministrit të deleguar për Frankofoni, Chancel Sekode Ndeugbayi, të cilit i kërkova mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, si mundësi reale e luftës kundër fenomeneve negative dhe krimit të organizuar ndërkombëtar”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Takimet e tjera bilaterale të Ministrit të Jashtëm, Pacolli, me homologë të tij, që po marrin pjesë në Konferencën e Frankofonisë do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat