Thaçi: Shpresoj se draft-rezoluta e AFET-it do t’i ndihmojë institucionet të kuptojnë zgjidhjen me Serbinë - Bota Sot
Thaçi: Shpresoj se draft-rezoluta e AFET-it do t’i ndihmojë institucionet të kuptojnë zgjidhjen me Serbinë

Aktuale

Thaçi: Shpresoj se draft-rezoluta e AFET-it do t’i ndihmojë institucionet të kuptojnë zgjidhjen me Serbinë

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 13:50
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar dje draft-rezolutën për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Presidentit, ky komitet e konsideron të mundur korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje kompromisi.

“Shpresoj se miratimi i kësaj draft-rezolute do t’i ndihmojë të gjithë në Kosovë, pra institucionet dhe partitë politike, që ta kuptojnë se cili opsion mund ta bëjë të mundur arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në një pjesë të publikimit të Thaçit.

Reagimi pa ndërhyrje i Presidentit Thaçi:

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar dje draft-rezolutën për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

E mirëpres këtë vendim dhe i falënderoj eurodeputetët për votimin e djeshëm në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) për përkrahjen për liberalizimin e menjëhershëm të vizave dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës jo vetëm që është i merituar, por është i vonuar padrejtësisht.

Lidhur me fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e mirëpres faktin që AFET bën thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që do të përkrahet nga të gjitha palët, që do të ruajë karakterin shumetnik të shteteve tona dhe nuk do të krijojë kufij përgjatë vijave etnike.

Mbi të gjitha, AFET e konsideron krejt të mundshëm opsionin e korrigjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje kompromisi për marrëveshjen përfundimtare.

Kjo qasje dhe përmbajtja e kësaj draft-rezolute të miratuar nga AFET dje, e cila pritet të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian, është identike me qasjen dhe argumentet tona për marrëveshjen përfundimtare. Draft-rezoluta është dëshmi se eurodeputetët e kanë kuptuar qartë se cili është opsioni më i mundshëm dhe real i arritjes së marrëveshjes përfundimtare, e cila Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB.

Shpresoj se miratimi i kësaj draft-rezolute do t’i ndihmojë të gjithë në Kosovë, pra institucionet dhe partitë politike, që ta kuptojnë se cili opsion mund ta bëjë të mundur arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm i BE-së që Kosovën e trajton si shtet të pavarur dhe sovran. Prandaj, votimi i djeshëm nga AFET është mbështetje e fuqishme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për të tejkaluar status quo-në aktuale të rrezikshme, e cila ka tendenca të përkeqësimit, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...