Ndryshimi i kufijve komunalë, VV paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

Aktuale

Ndryshimi i kufijve komunalë, VV paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 17:19
Foto

Lëvizja Vetëvendosje e quan të kundërligjshme dhe të dyshimtë vendimin për ndryshim të kufijve administrativë mbi baza etnike mes komunës së Graçanicës dhe asaj të Fushë Kosovës.

Zyrtarë të këtij subjekti në një konferencë për media bënë të ditur se lidhur me këtë do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

E ajo që e bënë antikushtetues vendimin në fjalë, sipas kësaj partie, është përfundimi i procesit pa konsultime me qytetarët.

Kryetarja e Qendrës së Lëvizjes në Fushë Kosovë Albana Gashi tha se vendimi për zonën kadastrale të fshatrave Uglarë dhe Preoc është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi që kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm me ligj, respektivisht me plotësim/ndryshim te ligjit për kufijtë administrativ.

Gashi: Këto ligje mund të ndryshohen vetëm nga Kuvendi i Kosovës

“Ky vendim është në kundërshtim me ligjin aktual sepse ligji shprehimisht këto zona kadastrale ua njeh komunave përkatëse. Njëjtë edhe Kushtetuta e parasheh ndryshimin e kufijve përmes ndryshimeve ligjore dhe si të tilla, këto ligje, kufijtë administrativ mund të ndryshohen vetëm nga Kuvendi i Kosovës”, tha ajo.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Lëvizjes Xhelal Sveçla foli për qëllimin e këtij projekti që sipas tij ka për qëllim largimin e fshatrave dhe lagjeve me shumicë shqiptare, duke ia kaluar ato Fushë Kosovës, në mënyrë që Komuna e Graçanicës të pastrohet etnikisht.

Ai ka ngritur një sërë dilemash rreth kësaj çështjeje, derisa ka bërë të ditur se për këtë vendim do t’i drejtohen edhe Kushtetueses.

Sveçla: Ky rast normalisht duhet parë nën dritën e zhvillimeve që lidhen me projektin e Zajednicës

“Cilat janë ato shërbime apo ato të drejta që qytetarët që banojnë në këto dy zona kadastrale,  nuk i marrkan në Graçanicë, por i marrin në komunën e Fushë Kosovës? Pse këtyre qytetarëve që rastis të jenë në shumicë dërmuese të kombësisë shqiptare nuk i shërbyeka Komuna e Graçanicës? Ky ndryshim i kufirit padyshim se është i padrejtë. Por legjitimi i kësaj padrejtësie nga ana e Ministrisë është edhe më i rëndë. Ky rast normalisht duhet parë nën dritën e zhvillimeve që lidhen me projektin e Zajednicës. A është kjo një shëmbëlltyrë apo një test për korrigjimin apo shkëmbimin e komunave të Kosovës ku me efekt kanë përbërjen etnike të këtyre komunave... Ne do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Krejt në fund, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë të ditur se ditëve në vijim do të njoftojnë për veprimet e mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat