Sindikata e Policisë: Presim që vitin e ardhshëm ta kemi sigurimin shëndetësor

Aktuale

Sindikata e Policisë: Presim që vitin e ardhshëm ta kemi sigurimin shëndetësor

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 23:37
Policia e Kosovës

Mungesa e sigurimeve shëndetësore vazhdon të jetë një problem për Policinë e Kosovës, e cila aktualisht është policia e vetme në rajon pa këto sigurime.

Për këtë brengë të kamotshme të policëve, sot ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi dhe kryetari i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku kanë zhvilluar një takim.

Detaje për takimin ka dhënë nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli. Ai ka thënë se pret që viti i ardhshëm të gjej policët me sigurim shëndetësor.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet sigurimi shëndetësor çdo herë që kemi kërkuar tash e sa vite rresht, tani kërkuam përmes ministrit që të bëhet kërkesa në qeveri që viti 2019 të filloj me sigurime shëndetësore, të jetësohet”, ka theksuar Tasholli.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka tentuar disa herë që të bëj realitet këtë kërkesë të policëve.

“Kërkesa ka shkuar në qeveri, tani mbetet që ajo si gjithherë të tentoj, ka provua gjithherë dhe do të shohim a do të ndodh. Ne presim që të ndodh diçka e tillë”, ka përfunduar Tasholli.

Se kjo punë është e kryer e thotë kryetari i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku. Ai në rrjetin social Facebook, ka shkruar se për sigurimin shëndetësor të policëve të Kosovës janë pajtuar të gjithë dhe se “tashmë vetëm duhet një vendim Qeveritare për ta jetësuar atë në praktikë”.

“Ata na ruajnë neve, e ne duhet të kujdesemi për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Policia e Kosovës si duket më në fund po trajtohet me më dinjitet nga Qeveria e Kosovës. Sot në një takim të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme z.Bejtush Gashin dhe kryetaren e sindikatës së Policisë së Kosovës znj.Valbona Kamberi biseduam për sigurimin shëndetësore dhe jetësore të policëve të Kosovës. Të gjithë u pajtuan, tashme vetëm duhet një vendim Qeveritare për ta jetësuar atë në praktikë”, ka shkruar Mazreku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat