Bytyqi: Të punohet bashkërisht për nxitjen e diversitetit në shkolla - Bota Sot
Bytyqi: Të punohet bashkërisht për nxitjen e diversitetit në shkolla

Aktuale

E premte, 19 tetor 2018

Bytyqi: Të punohet bashkërisht për nxitjen e diversitetit në shkolla

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 12:39
Konferenca përmbyllëse të projektit “Nxitja e kulturës demokratike dhe e diversitetit në shkollë”,

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kërkoi të ketë një angazhim të përbashkët që në shkolla të ketë një zhvillim gjithëpërfshirës për fëmijët dhe krijimin e mundësive të barabarta duke mos lejuar diskriminimin për cilindo fëmijë, apo komunitet të caktuar.

Ai gjatë konferencës përmbyllëse të projektit “Nxitja e kulturës demokratike dhe e diversitetit në shkollë”, theksoi se kështu do të kemi një sistem arsimor shumë më të zhvilluar dhe cilësi në arsim.

Ministri Bytyqi tha se ky projekt i ka kushtuar një rol të rëndësishëm dhe të veçantë krijimit të një kulture demokratike dhe nxitjen e diversitetit nëpër shkolla.

Ai përmendi faktin se në kuadër të këtij projekti është bërë edhe trajnimi i mësimdhënësve, me qëllim të mbështetjes së sistemit arsimor në Kosovë.

“Si rezultat i këtij projekti, janë rritur aftësitë e mësimdhënësve trajnerë për të ndihmuar dhe monitoruar proceset demokratike dhe gjithëpërfshirëse në zhvillimin e shkollave. Trajnerët janë të gatshëm për t’u angazhuar në proceset konkrete të zhvillimit të shkollave dhe të lehtësojnë zhvillimin e proceseve përmes dhënies së trajnimit në nivel vendor dhe rajonal për ekipet e shkollave të zgjedhura pilot të angazhuara ndaj proceseve të zhvillimit profesional”, u shpreh ministri Bytyqi.

Ai theksoi edhe rolin e prindërve në këtë proces dhe tha se prindi duhet të jetë gjithmonë pjesëmarrës në zgjidhjen e këtyre çështjeve, sepse ata janë edukatorët kryesorë të fëmijëve dhe e dinë më së miri se cilat janë kërkesat e fëmijëve të tyre për t’i zgjidhur problemet që paraqiten ndaj diskriminimeve të caktuara.

“Ky projekt ka nxjerrë në pah që politikat, rregullat dhe praktikat shkollore duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të ndalojnë dhe të parandalojnë diskriminimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë”, tha ministri Bytyqi.

Ndryshe, projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe është zbatuar në 20 shkolla pilote, dhe përgjatë dy viteve kanë marrë pjesë rreth 200 përfaqësues, përfshirë drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe pjesëmarrës të komuniteteve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test