OJQ-të paralajmërojnë protesta nëse Rektorati nuk suspendon profesorët plagjiatorë

Aktuale

OJQ-të paralajmërojnë protesta nëse Rektorati nuk suspendon profesorët plagjiatorë

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 12:13
Rron Gjinovci dhe Shkëlzen Gashi

Krijimi i një komisioni të veçantë me pjesëmarrje ndërkombëtare për të hetuar avancimet e profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike si dhe heqja e titullit të profesorit të rregullt të këtyre profesorëve për shkak të praktikës jo etike ishin dy kërkesat kryesore që ORCKA dhe ADMOVERE i drejtuan sot rektorit të UP-së Marjan Dema.

Në të kundërtën paralajmëruan protesta. Në një konferencë për media, përfaqësues të organizatave përkatëse kërkuan po ashtu adresimin e gjetjeve të komisionit me pjesëmarrje ndërkombëtare, nga ana e Rektoratit në Këshillin e Etikës.

Rron Gjinovci nga ORCA tha se pavarësisht se u kanë dërguar senatorëve vlerësimin për punimet e këtyre kandidatëve nga FIM dhe bërjes publike gjetjet e analizës së ORCA-a, të njëjtit janë avancuar nga profesorë të asocuar në profesorë të rregullt.

Gjinovci: Rektorati të krijojë një komision ndërkombëtar për të hetuar avancimin e profesorëve

"Në mbledhjen e 23 korrikut 2018 janë avancuar Ahmet Shala, i cili është dekan i fakultetit, Ramë Likaj, i cili është senator në atë fakultet, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajçi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj dhe Xhevat Berisha. Të gjithë këta i kanë bë nga 5 deri në 19 punime brenda një viti e gjysmë. Ju e dini se kemi thënë edhe atëherë që kjo është e pamundshme... Dhe sot po i këkroj formalisht rektorit që të krijojnë një komision të veçantë me pjesëmarrje ndërkombëtare për me e hetu rastin në fjalë, që t’i adresojë gjetjet e komisionit në Këshillin e Etikës dhe t’i rekomandojë senatit heqjen e titullit t profesorit të rregullt për të gjithë këta që i përmenda... Nuk përjashtohet dhe është e mundshme që na mujmë me organizu protesta shumë shpejt”, tha ai.

Edhe Shkëlzen Gashi nga ADMOVERE tha se nga gjithsej 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Ndërsa bëri të ditur se çka kanë përfshirë në kërkesën e tyre.

Gashi: Në kërkesën tonë kemi renditur rastet e plagjiaturës prej vitit 1985 -2016

“Kërkesën e kemi dorëzuar pak më herët, e kemi protokolluar dhe këtu i kemi rendit rastet e profesorëve që kanë bërë plagjiatura të të cilëve janë publikuar në media prej vitit 1985 e deri në vitin 2016”, u shpreh ai.

Ndërsa përfaqësuesi i ORCA-s bëri të ditur se deri më tash Këshilli i Etikës nuk është përgjigjur asnjëherë, ndërsa Rektorati i UP-së nuk ka adresuar çështjet në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat