Komuna e ministria e Lekajt përplasen për ndërprerjen e punimeve të “Bechtel Enkës”

Aktuale

Komuna e ministria e Lekajt përplasen për ndërprerjen e punimeve të “Bechtel Enkës”

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 20:05
Pamje nga punimet në autostradë

Një vendim i komunës së Hanit të Elezit për ndërprerjen e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” pas orës 23:00 me arsyetimin se po shkaktohet zhurmë, ka nxitur përplasjen e ministrisë së Infrastrukturës me komunën. Këta të fundit po thonë se ministria ka qenë e informuar për vendimin në fjalë.

“Ndalesa të organizuara për qëllime personale”.

Kështu e quajti vendimin e komunës së Hanit të Elezit, ministri i Infrastukturës, Pal Lekaj.

Ai në një postim në Facebook u shpreh se Autostrada “Arbën Xhaferi”, nuk guxon të përballet me ndalesa të tilla.

“Është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjingant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet. Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit”, u shpreh Lekaj.

Mirëpo se ministria e Infrastrukturës ka qenë e informuar për problemin në fjalë, po e thotë kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Ai tha se ka pasur takim me zëvendësministrin dhe se i njëjti ka qenë në dijeni për një gjë të tillë.

Tutje, Suma shtoi se ministria dhe kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve, “Bechtel Enka”, po ia gjuajnë fajin njëra tjetrës.

“Kohën e fundit nuk kam pasë takime. Takim kemi pasë para 10 ditësh me zëvendësministrin, edhe i kemi treguar për problemet që kemi, ai ka qenë shumë mirë i informuar, sepse këta mundohen qe me ua hudh fajin Bechtel Enkës, ndërkaq këta të fundit ministrisë. Edhe Qeveria e ka ditur, dhe krejt jemi të vetëdijshëm që i ka dhënë leje me punu 24 orë, por nuk ka drejtë të bëjë zhurmë natën”, ka thënë Suma.

Suma po ashtu bëri të ditur që për sot ka qenë i planifikuar një takim mes tij dhe përfaqësuesve të “Bechtel Enkas”, mirpëpo këta të fundit nuk janë paraqitur duke mos thënë asnjë arsye.

Sipas tij, një gjë e tillë tregon jo seriozitetin e tyre.

Ndërkaq që nuk dihet se për sa kohë do të jetë ky vendim në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat