Familja e Astrit Deharit do t’i pranojë rezultatet e hetimeve nga instituti zviceran - Bota Sot
Familja e Astrit Deharit do t’i pranojë rezultatet e hetimeve nga instituti zviceran

Aktuale

E diel, 21 tetor 2018

Familja e Astrit Deharit do t’i pranojë rezultatet e hetimeve nga instituti zviceran

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 20:30
Familja e Astrit Deharit

Edhe pak ditë, bëhen dy vite që kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas rezultateve të autopsisë që iu bë me kërkesë të familjes, pasojë e vdekjes së tij ishte asfiksia ose mosfrymëmarrja dhe pengesat në frymëmarrje.

Derisa, familja Dehari vazhdon të ketë bindjen se biri i tyre është vrarë nga dikush brenda në burg.

Prandaj, familja ka kërkuar që me rastin e Astritit të merret instituti i mjekësisë ligjore të Zvicrës.  Avokati i familjes, Tomë Gashi ka thënë se janë në pritje të gjetjeve të institutit.

“Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë prej që është dërgu rasti i Astrit Deharit në institutin e mjekësisë ligjore në Lozanë, aty ku ka kërkuar edhe familja Dehari. Me kërkesën time si përfaqësuesi i tyre, u kemi kërkuar qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera, përfshirë edhe kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër lumëzi, ata e kanë pranuar dhe e kanë dërguar rastin në institutin në Zvicër. Ne kemi kërkuar që ky institut zviceran të kryej edhe hetime të pavarura dhe ekspertizën përkatëse  që ata e konsiderojnë të nevojshme”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, kësaj radhe, prindërit e Astritit do të pranojnë fjalën përfundimtare të institutit zviceran.

“Familja ka deklaruar se do t’i pranojnë rezultatet e hetimeve të pavarura në Zvicër dhe të ekspertizave të caktuara”, ka theksuar Gashi.

Ai ka përsëritur bindjet e familjes dhe të tij se Astriti nuk është vetëvrarë, por se dikush i mori jetën atij.

“Përndryshe familja dhe unë konsiderojmë se Astrit Dehari është vrarë sepse ka pasur prova të pakontestueshme që vërtetojnë vrasjen e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të 2016-tës. Tani jemi pothuajse afër dyvjetorit të vrasjes së Astrit Deharit dhe ende nuk e kemi një epilog juridik zyrtar të shtetit të Kosovës, i cili do të duhej që me shpejtësinë më të madhe të punoj dhe të kërkoj nga instituti zviceran që ta përfundoj këtë çështje sepse rasti është tepër i ndjeshëm dhe faktikisht që jemi në pritje”, ka shtuar Gashi.

Ai ka thënë se sipas njohurive që ka, instituti zviceran ka kërkuar nga prokurori i shtetit dokumentacion shtesë, dhe ata janë duke e përgatitur dokumentacionin tjetër shtesë për t’ia dërguar institutit.

“Kërkesa e fundit e imja për kryeprokurorin Lumezi dhe prokurorinë Themelore në Prizren ka qenë që ata t’i dërgojnë të gjitha dokumentacionet dhe provat që i kanë në Institutin zviceran të mjekësisë ligjore. Mirëpo duket se atyre një pjesë e këtyre provave ju mungon dhe sipas informatave të fundit, ata kanë kërkuar prova shtesë prej zyrës së kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi “, ka përfunduar Gashi.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se po vazhdon të ketë prioritet këtë rast.

Fitore Mehmeti- Sejrani, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ka thënë se janë duke bërë gati dokumentet që u ka kërkuar instituti në Zvicër.

“Për nevoja të ekspertizës, përkatësisht hetimit, ne u kemi dërguar në vazhdimësi dokumente shtesë sipas kërkesës së tyre, e që lidhen me rastin në fjalë. Andaj, ju njoftojmë se akoma nuk kemi pranuar rezultatet e ekspertizës nga ana e Institutit në fjalë”, ka thënë Mehmeti-Serjani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test