Krasniqi dhe Aliu kapen për para: Cili subjekt ka 1.2 milionë buxhet dhe kush ka 3 truproja!

Aktuale

Krasniqi dhe Aliu kapen për para: Cili subjekt ka 1.2 milionë buxhet dhe kush ka 3 truproja!

Nga: N. Sh Më: 16 tetor 2018 Në ora: 13:48
Frashër Krasniqi, Liburn Aliu

Frashër Krasniqi nga PSD-ja, i është përgjigjur Liburn Aliut të Lëvizjes Vetëvendosje i cili më herët tha se eksponentët që u larguan nga VV-ja kaën thënë se protesta ishte vetëm për një njeri, për Albin Kurtin.

Krasniqi thotë se vetë e konfirmoi Liburn Aliu se protesta ishte organizuar për afirmim të VV-së kundër PSD-së.

“Kur Liburni thotë se largimi ynë paska qenë bereqet për VV, kjo tregon atë që e thonim ne para vendimit që të largohemi: VV nuk na deshi neve aty. Sepse Albin Kurti nuk deshi mendim kritik”, shkruan Krasniqi në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Krasniqi përmend edhe buxhetin e LVV-së i cili është 1.2 milionë euro.

“Liburn Aliu, mos harro që VV sot menaxhon me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit). Pra është parti e pasur. Dhe po, një pjesë e aktivistëve që kemi dalur, kemi marrë paga nga VV, por sot ju, si hipokritë që jeni, le që nuk i keni ulur pagat por keni punësuar njerëz me paga saktësisht të njëjta. Sot, disa prej jush, e në veçanti kryetari, endeni me mercedesa dhe keni nga 3 truproja”, shkruan tutje ai.

Lexojeni shkrimin e Krasniqit:

Liburn Aliu e konfirmoi vetë, pa ia kërkuar askush që protesta e VV qenka organizuar për afirmim të VV dhe kundër PSD-së. Shiheni se si sa herë që po flasin për protestën, këtë e bëjnë në kontekst të sulmit ndaj PSD-së dhe afirmimit të VV-së, dhe jo për ta sulmuar Thaçin kundër të cilit mashtruan se po e thërrasin protestën.

Unë nuk e di për cilën mbështetje po flet Liburni, por është mirë t’i presim zgjedhjet. Mbase ju kemi sjellur bereqet, por sondazhet po flasin që VV nga partia e parë ka dalur në partinë e tretë. Nga 32 deputetë, ka mbetur me 19. E për votat e PSD, prap le ti presim zgjedhjet. Do të zhgënjeheni edhe në këtë rast. PSD do të ketë deputetë më shumë se që ka aktualisht.

Kur Liburni thotë se largimi ynë paska qenë bereqet për VV, kjo tregon atë që e thonim ne para vendimit që të largohemi: VV nuk na deshi neve aty. Sepse Albin Kurti nuk deshi mendim kritik.

Dhe krejt në fund, për hipokrizinë e pagave:

Liburn Aliu, mos harro që VV sot menaxhon me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit). Pra është parti e pasur. Dhe po, një pjesë e aktivistëve që kemi dalur, kemi marrë paga nga VV, por sot ju, si hipokritë që jeni, le që nuk i keni ulur pagat por keni punësuar njerëz me paga saktësisht të njëjta. Sot, disa prej jush, e në veçanti kryetari, endeni me mercedesa dhe keni nga 3 truproja.

Mos shitni moral sepse asnjë pikë s'e keni.

Më poshtë ua sjellim shkrimin e Liburn Aliut:

Eksponentë të atyre që u larguan nga VV, po thonë se protesta ishte vetëm për një njeri, për Albinin. Në fakt, ky është vajtimi i tyre për planin që u ka dështuar. Ata kanë menduar që TË GJITHË do të dalin nga VETËVENDOSJE! dhe, siç edhe kanë thënë, "Albini do të mbetet vetëm, si Adem Demaçi, pa organizatë!". E kundërta ndodhi. Mbështetja për VV vetëm sa është rritur kurse ata janë në pazar - kujt do t'i shiten për koalicion parazgjedhor meqë nuk e kalojnë dot as gjysëm pragu. Këtë vit nga VV kanë dalur rreth 40 anëtarë të vjetër (me ndonjë përjashtim prej vullnetari, të gjithë këta paguheshin me rroga), mirëpo kanë ardhur mbi 4.300 anëtarë të rinj dhe sot VV i ka mbi 35 mijë anëtarë gjithsejt. Ashtu siç pak kujt ia ka marrë mendja, dalja e atyre që shkuan ishte me bereqet për neve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat