Haradinaj: Duhet të përmbyllet shtetbërja e Kosovës

Aktuale

Haradinaj: Duhet të përmbyllet shtetbërja e Kosovës

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 21:49
Ramush Haradinaj

“Dikur kur kemi qenë në kohë të okupimit e kemi dëshiruar, e kemi menduar dhe kemi ëndërruar se ku do të arrijë. Atëherë janë kërkuar idealistët më të mëdhenj të mundshëm, të cilët e kanë ëndërruar, e kanë imagjinuar se ku do të jemi. Tani në Kosovë ne jetojmë dhe e shohim se ku duhet të jemi, por nuk e kemi arritur. Pra është një sfidë sikur kur i afrohesh majës për të cilën ke rrugëtuar gjatë, e je shumë afër, por ende nuk e ke arritur”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të ligjëratës së tij, të mbajtur sot në Universitetin Europian të Tiranës, ku është pritur nga udhëheqësit dhe studentë të këtij institucioni arsimor.

Kryeministri Haradinaj është njoftuar nga stafi i këtij universiteti, për punën dhe sfidat me të cilat përballet ky universitet, në të cilin ndjekin studimet edhe studentë nga Kosova, duke thënë se sfidë e çdo shoqërie është ta konsolidojë rendin dhe ligjin, ndërsa shtoi se nuk po bëhet rend dhe ligj vetëm sa për të jetuar të qetë në Kosovë, por po bëhet rend e ligj për ta kundërshtuar një palë tjetër që nuk dëshiron që ne ta përmbyllim një rend dhe ligj të një shteti sovran. 

“Nëse ne punojmë për një zhvillim ekonomik, ne punojmë kundër një teze se Kosova është e paqëndrueshme, se ekonomia e saj dikur ishte e lidhur me një ekonomi tjetër, se resurset e saj nuk janë të gjenerueshme nga po këta njerëz. Kësisoj lista është e gjatë”, tha kryeministri Haradinaj dhe theksoi se që nga koha kur ka marrë të udhëheqë me qeverinë, një vit më parë, qëllimi i tij nuk ka qenë që të kritikojë dhe të humb kohë që të flas për pararendësit e tij, por që në çdo kohë të përballet me tema të mëdha e të vogla, për të cilat janë arritur rezultate.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, Haradinaj përmendi se në disa qendra vendimmarrëse me rëndësi për kombin tonë është kthyer një besim i caktuar, nuk është ai që na nevojitet, por është një besim i caktuar.

“Në Uashington në linjat e sigurisë mendojë se na veçojnë, na kuptojnë, na ndjejnë, e dinë se ne jemi të vendosur atje ku do të arrijmë do të arrijmë. Nuk është mirë të na nxjerrin ndonjë çmim të ri, se jemi të gatshëm për çdo çmim, çdo sakrificë të arrijmë atje ku jemi nisur gjatë ndër breza”, tha kryeministri Haradinaj. 

Më tej, para studentëve kryeministri Hardinaj tha se edhe në Evropë, veçanërisht me  Londrën nuk kemi pasur shumë sfida, sepse e kanë pasur të definuar orientimin e tyre, por sfidë ka qenë Berlini për ne. 

“Edhe pse shqiptarët në traditën e tyre kanë respekt dhe marrëdhënie të mirë, prapë se prapë Berlini është përballur me ne në shumicën e rasteve si politika të paqëndrueshme. Por mendojë se e kemi kthyer gjendjen, jo vetëm si Kosovë, por edhe si komb në masë të caktuar, falë punës që është bërë”, theksoi kryeministri Haradinaj. 

Kryeministri Haradinaj, po ashtu foli edhe për sfidat, duke thënë se ka shumë probleme, shumë sfida, të cilat nuk janë vetëm të Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se duhet të përmbyllet shtetbërja e Kosovës dhe se vetëm atëherë mund të shtrojmë pyetje tjera si dëshirojmë të jetojmë, të ndarë apo të bashkuar.   “Pyetja tash si dëshirojmë të jetojmë nuk është në interes të kombit tonë. Kjo pyetje nëse shtrohet tash, bëhet për të realizuar 2/3 e të drejtës së Kosovës, e ndoshta më pak se 2/3 e të drejtës së kombit. Nëse shtrohet në etapa tjera kur jemi të rregulluar si duhet, atëherë nuk prejudikojë nga tash”, tha kryeministri Haradinaj. 

Më pas kryeministri Haradinaj i është përgjigjur interesimit të studentëve për të biseduar për temat aktuale me të cilat po përballet Kosova, si dialogu me Serbinë, liberalizimi i vizave, transformimi i FSK-së, anëtarësimi në INTERPOL dhe prioritetet tjera me të cilat është duke u marrë intensivisht Qeveria e Kosovës.

“Nuk duhet të gjykojmë aq lehtë që t’i lejojmë vetës askush nga ne që të bëjë eksperimente me një të arritur të brezave. Ideja se po gjen një zgjidhje duke eksperimentuar me atë që brezat e kanë krijuar është e ndjeshme, nuk shkon ashtu, e sidomos kur brezi i fundit i atyre që e kanë krijuar është gjallë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nuk lejojmë që askush të bëjë diçka të tillë në emër të popullit që i takon dhe se as ndarja dhe as  shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje.    Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit të lartë, çështjen e diplomave dhe çështje të tjera.  

Rektori i Universitetit Evropian të Tiranës, Tonin Gjuraj tha se është kënaqësi që kanë prezent kryeministrin Haradinaj, të cilin e quajti mik dhe njeri kurajoz, një politikan sa i përkorë aq edhe popullor.

Rektori Gjuraj tha se të flasësh për kryeministrin Ramush Haradinaj, është e pamundur, sepse asnjë detaj i mëvetësishëm i qenies, sjelljes apo veprimit të tij, nuk mund të përkufizojë atë, duke shtuar se përkushtimi me të cilin kryeministri Haradinaj i jepet popullit dhe çështjes së Kosovës, ndjekin atë që në fakt është Haradinaj.

“Njeri me zemër të madhe, zemra e të cilit ka rrahur me fuqi për Kosovën kur ai ishte komandant i luftës kundër serbëve dhe vazhdon me po atë fuqi të rrahë edhe sot”, tha rektori Gjuraj, duke shtuar se nuk ka askush dyshime për energjinë dhe pasionin me të cilin kryeministri Haradinaj vepron në dobi të Kosovës.

Rektori Gjuraj duke e vlerësuar lartë kryeministrin Haradinaj për kurajon dhe trimërinë në luftë, dhembshurinë dhe shpirtin e pasosur të sakrificës për popullin e Kosovës, tha se Haradinaj ka luftuar në rresht të parë dhe duke qenë komandant i Zonës së Dukagjinit, si njëri ndër luftëtarët përkrah shokëve të tij, u nisë të flijohet për vendin që digjej, zbrazej nga serbët. “Sakrifica e Ramush Haradinajt ka vazhduar edhe në kohën kur Kosova u bë e lirë, me forcën dhe kurajon që e karakterizonte, la Zyrën e Kryeministrit dhe shkoi personalisht në Hagë”, tha rektori Gjuraj.

Kryeministri Haradinaj, në fund të kësaj ligjërate i ka ndarë medaljen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, presidentit të UET-së, Adrian Civici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat