Osmani: Logjika për të bërë Kosovën depo të hekurishteve është gabim

Aktuale

Osmani: Logjika për të bërë Kosovën depo të hekurishteve është gabim

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:55
Komisioni për Buxhet dhe Financa

Për iniciativën që të ndryshohet projektligji për importimit të veturave pritet që në Kuvendin e Kosovës të ketë debat të nxehtë, ngase sot Komisioni për Buxhet dhe Financa ka votuar kundër lejimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet, ndërsa u pajtuan se projektligji nuk ka kosto buxhetore.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për automjete dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani konsideron se amendamenti numër 1 nuk është trajtuar mirë dhe është i dëmshëm.

Sipas tij, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të vjetra që qarkullojnë në rrugë.

Osmani: Logjika për të bërë Kosovën depo të hekurishteve është gabim

“Kjo logjika me bërë Kosovën depo është logjikë jo e mirë, jo e shëndetshme. Faktikisht, në një farë mënyre ne jemi shndërruar në depo, kur shikohet grumbullimi i krejt këtyre teneqeve që janë bërë në Kosovë. Problemi në komunikacion është në makina të pa kontrolluara, të pa mirëmbajtura, të cilat ne i vizitim dhe rrezikojmë jo vetëm jetën tonë, por jetën e të tjerëve”, ka thënë Osmani.

Deputeti Dardan Molliqaj duke kundërshtuar ndryshimin e projektligjit për veturat theksoi se ajo që është me rëndësi, është ambienti. Sipas tij, ajri i ndotur shkakton dëm në ambient dhe në shëndetin e njerëzve.

Molliqaj: Projektligji në kundërshtim me standardet e BE-së

“Me sa di unë është në kundërshtim me standardet të cilat i vendos BE-ja sa i përket çështjes së ambientit. Nuk besoj që është interes i akujt kjo përveç i ndonjë interesi financiar të grupeve të ngushta”, theksoi Molliqaj.

Anëtarja tjetër e komisionit, Safete Haderxhonaj, shprehu shqetësimin për akcizën e lartë për import të veturave. Ajo ndër të tjera ka kërkuar një kontroll me të mirë për veturat, pasi sipas saj, ka automjete të reja dhe ndodh që nuk janë në rregull.

Hadërgjonaj: Ka edhe makina të reja që e ndotin ambientin

“Unë nuk jam e interesuar as me shndërruar Kosovë në depo të këtyre makinave të vjetra, as me ndotë ambientin. Por, ka makinë që me vite është më re e blerë dhe nuk funksionon mirë, e cila ndotë ambientin më shumë se një veturë e cila është në gjendje të rregullt mbi 15 vjet. Kështu që unë kisha thënë të fuqizohet çështja kontrollit të këtyre makinave”, tha Hadërgjonaj.

Iniciuesi i këtij projektligji, deputeti Mërgim Lushtaku ka thënë se projektligji në fjalë nuk është kundër ligjeve të BE-së, por respektohen standardet e BE-së. Qëllim tjetër me këtë projektligj, sipas tij, ka qenë edhe mirëqenia sociale, sepse jo të gjithë kanë mundësi me blerë vetura të reja.

Lushtaku: Nuk jemi  kundër ligjeve të BE-së

“Nuk jam që të jemi kundër atyre ligjeve të BE-së pasi që kanë përvojën më të mirë. Në këtë drejtim unë kam qenë shumë i kujdesshëm dhe kam kërkuar mendimet e ndryshme si nga Ministria e Integrimit Evropian si dhe në aspektin ambiental dhe të “Aki komuniter”. Këto janë standarde evropiane nuk janë standarde që i kam shpikë vet”, tha Lushtaku.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nëse është qëllimi që t’i ndihmohet qytetarëve, të rekomandohet që të ulet kostoja e importit të veturave, ndërsa të mos përkrahet importi i veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Abdixhiku: Të kërkojmë uljen e doganës dhe akcizës

“Në qoftë se e kemi ligjin për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës, për t’i lehtësuar koston, unë mbështes propozimin e zonjës Hadërgjonaj që si Komision të vendosim ta zvogëlojmë doganën dhe akcizën e veturave, por mos ta dëmtojmë ambientin dhe mos ta bëjmë Kosovën në një depo të veturave të vjetra”, tha Abdixhiku. 

Po ashtu edhe Blerim Kuçi ka përkrahur iniciativën për importimin e veturave më të vjetra sa dhjetë vjet.

Komisioni ka miratuar Projektligjin për Produkte të Ndërtimit dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, që pritet të ketë një implikim financiar 240 mijë euro.

Po ashtu është miratuar edhe Projektligji për Efiçiencë të energjisë dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal që ka një implikim financiar pak më shumë se 1 milion euro për vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat