S’ka kuorum për analizë rreth dialogut, tensione në mes të deputetëve

Aktuale

S’ka kuorum për analizë rreth dialogut, tensione në mes të deputetëve

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 14:09
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike

(E plotësuar) - Me tensione dhe pa kuorum për të votuar.

Ky është rezultati i mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ku nuk u arrit kuorumi për të kaluar propozimin që të bëhet analizë për procesin e dialogut me Serbinë, dhe të dilet pastaj me rekomandime për qeverinë.

Deputetja e PDK-së Evgjeni Thaçi- Dragusha e lëshoi mbledhjen kur erdhi koha e votimit, kurse u kthye në sallë pas votimit.

Deputetët Time Kadrijaj dhe Danush Ademi nuk votuan fare, andaj 5 votat pro, nuk ishin të vlefshme për kuorum.

Mbledhja e sotme po përcillet me tensione dhe debate në mes të deputetëve.

Për çështjen e dialogut, Time Kadriaj nga AAK, iu drejtua Vjosa Osmanit dukeni i thënë: A e keni pyetur shefin tuaj për këtë diskutim sot?

“Shefi im është populli, unë funksionoj ndryshe, nuk funksionoj me shef sikur ju”, ishte përgjigja e deputetes së LDK-së.

Komisioni po vazhdon mbledhjen me shqyrtimin e vlerësimeve të sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm.

Kurse, më herët pati kritika të mëdha rreth raportit të qeverisë për dialogun me Serbinë. Nga VV dhe LDK ky raport u vlerësua si i mangët dhe jo transparent.

Komisioni me vërejtje për raportin e Qeverisë rreth dialogut

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në mbledhjen e sotme po diskuton për dialogun me Serbinë, meqë në rend dite është shqyrtimi i raportit të Qeverisë për dialogun, i hartuar në muajin qershor.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani nga LDK-ja, tha se nuk ka vlerësim dhe analizë profesionale të marrëveshjeve me Serbinë. Vërejtja e saj për raportin është se ai duhet të përfshijë analizë më të detajuar të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, të vitit 2013.

Ajo tha se ekziston nevoja të vlerësohet procesi i dialogut- sipas saj, ekzistojnë dokumente qe janë trajtuar në publik por që qeveria nuk i ka publike.

Osmani tha se qeveria duhet të kërkojë dokumentet që i mungojnë.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konkufca tha se transparenca e dialogut ka dështuar.

"Numri i raportimeve në Kuvend (5-6) dhe i numri i takimeve (40) janë në shpërputhje. Aspekti që e kemi konsideruar më të rëndësishmin që është transparenca, që sa herë të takohen me zyrtarë te Serbisë të raportojnë, kjo ka dështuar. Pasi të lexohet ky raport 40 faqe, është marrëzi te thuash që dialogu me Serbinë ka qenë i suksesshëm", tha ai. 

Sipas tyre, komisioni duhet të analizojë procesin 7 vjeçar të dialogut, pastaj Kuvendi të dalë me rekomandime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat