Raporti i Qeverisë për dialogun shkakton përplasje mes deputetëve

Aktuale

Raporti i Qeverisë për dialogun shkakton përplasje mes deputetëve

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 16:43
Pamje nga momenti i mbajes së mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Deputetë të pozitës dhe pozitës janë përplasur sot në një debat në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Krejt kjo përplasje mes deputetëve ka ardhur gjatë shqyrtimit të raportit të Qeverisë për dialogun me Serbinë, ku kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani propozoi që të bëhet një analizë e detajuar për procesin 7 vjeçar  dhe Kuvendi të dalë me disa rekomandime për ekzekutivin.

Propozimi i Osmanit nuk kaloi meqë nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të pozitës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Qeveria ka dështuar në çështjen e transparencës ndaj institucionit të Kuvendit.

Në raportin e Qeverisë prej rreth 40 faqesh, Konjufca tha se ka shumë defekte, ndër të cilat përmendi mbrojtjen civile, ku theksoi se në raport thuhet që mbrojtja civile është shpërbërë, janë integruar 480 persona në institucionet e Kosovës por që asnjëri prej tyre nuk i përgjigjen ligjit të Kosovës.

Konjufca: Me këtë raport shihet që nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

"Në faqen 25 thotë Serbia i ndalon pjesëtarët tonë të Policisë, kur të kalojnë kufirin me Serbinë, dhe pjesëtaret e FSK-së dhe ata i marrin në pyetje shërbimet sekrete të Serbisë. Neve pjesëtarët e policisë dhe pjesëtaret e FSK-së po na i marrkan në pyetje shërbimet sekrete të Serbisë, dhe ne themi ‘dialogu me Serbinë super është çdo gjë në rregull’. Si me gjitha këto, mundet me u quajt ky proces normal ,ose procesi normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, tha Konjufca.

Ndërsa kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani nga LDK propozoi që komisioni të bëjë një vlerësim të procesit të dialogut.

Ajo tha se raporti nuk përfshinë një analizë të detajuar rreth nivelit të zbatimit të marrëveshjes së parë të parimeve të vitit 2013. Andaj, sipas saj, ka nevojë të plotësohet me një analizë më të gjatë.

Por me këtë nuk u pajtua deputeti nga Partia Socialdemokrate, Dukagjin Gorani.

Ai nuk pa ndonjë arsye të diskutohet për këtë çështje dhe aq më pak të bëhet ndonjë analizë, sepse sipas tij nuk ka asgjë të re në raport.

Osmani- Goranit: Askush nuk iu detyron me folë këtu 

“Krejt ky raport është i papërdorshëm, krejt këto vërejtje që janë futur këtu janë të njohura, të pazbatueshme dhe  dihet. Nëse duam të vazhdojmë të flasim për gjëra që dihen, mundemi....

Zotëri Gorani askush nuk po ju detyron me folë, nëse nuk don me fol mos fol, askush nuk ju detyron me folë, por as ju nuk mundeni me detyru askënd në këtë komision apo me ja caktu se çfarë mendon e çfarë vlerëson rreth këtij procesi...

Unë mundem me propozu që kjo mbledhje ta ketë një qëllim...

Qëllimi është shumë i qartë po e kryejmë detyrën tonë, do të votojmë natyrisht, do të ketë votim pasi t’i dëgjojmë anëtarët e tjerë nëse kanë diçka për të shtuar”.

Edhe deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Evgjeni Thaçi -Dragusha e kundërshtoi një propozim të tillë, madje, ajo doli nga salla në kohën e votimit.

Thaçi-Dragusha: Unë nuk e bëj kuorumin për të votuar këtë propozim?

Nëse vazhdoni ta vendosni në votim këtë çështje, unë nuk marr pjesë fare në votim dhe nuk e bëjë kuorumin”, tha Thaçi-Dragusha.

Përplasja mes Osmanit dhe Goranit ka vazhduar edhe më tej ku sipas deputetes së LDK-së çështja nuk duhet të përfundojë me një raport të Qeverisë, por duhet analizuar nga deputetët dhe pastaj Kuvendit të nxjerr rekomandimet.

Gorani-Osmanit: Mos po më akuzoni që po i mbyll sytë para kësaj çështje?

“Nuk mund t’i mbyllim sytë para çështjeve që janë identifikuar në këtë raport, por edhe çështjeve të tjera të cilat janë të dëmshme por nuk janë të shkruara./ Tre herë e përmendet me i mbyllë sytë, kush po i mbyll sytë këtu?/Ju po dëshironi që t’i mbyllni sytë./Mos po më akuzoni që po i mbyll sytë?, dikush po i mbyllka sytë./Jo zotëri, kushdo që është kundër shqyrtimit të këtyre gabimeve, me emër e mbiemër, me qeveri nuk përfundon çdo gjë në një sistem parlamentar, çdo gjë përfundon me Kuvendin e Kosovës”.

Osmani nuk pati përplasje vetëm me Goranin e PSD-së.

Debat më i ashpër është zhvilluar mes saj dhe deputetes së AAK-së Time Kadriaj.

Kjo e fundit tha se në këtë proces është i përfshirë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili udhëheq me LDK-në.

Kadrijaj-Osmanit: A e ke vet shefin për këtë debat?

" Nuk po mund të kuptoj, asnjë marrëveshje e re nuk është në këtë mandat, po dua të di a e ke vet shefin tënd për debatin e  sotëm, se kjo me automatizëm e prek edhe ish-kryeministrin Isa Mustafa./ Unë nuk funksionoj si ju zonja Kadrijaj/. A e ke vet shefin?/Zonjë, unë shef e kam popullin që më ka votuar, nuk funksionoj si ju me shefa, a po e ndërprenë tani, po e ndërprenë. Nëse nuk doni me bo temë, kjo çështje prapë se prapë do të dalë në Kuvend, ideja ishte që të shkojë përmes komisionit, nuk doni në rregull”.

Kur propozimi u hodh në votim Gorani megjithatë votoi, por jo edhe Kadrijaj dhe Danush Ademi të cilët edhe pamundësuar që të kalojë propozimi sepse nuk pat kuorum.

Në këtë mbledhje në rend dite ishte edhe shqyrtimi i vlerësimeve të sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm.

Komisioni ftoi për raportim ministrin e Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli për të dhënë llogari lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm.

Deputetët bënë të ditur se vazhdimisht kanë marrë përgjigje negative në ftesat që i kanë bërë ministrit për të raportuar, me arsyetimin se ka vizita jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat