“Nuk mërzitem me Vasfije Krasniqin nëse pranon dekoratën nga Thaçi”

Aktuale

“Nuk mërzitem me Vasfije Krasniqin nëse pranon dekoratën nga Thaçi”

Nga: N.Sh Më: 18 tetor 2018 Në ora: 09:01
Vasfije Krasniqi

Anëtari nga Shqipëria i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, thotë se nuk mund të mërzitet me Vasfije Krasniqin nëse ajo e pranon dekoratën nga presidenti Hashim Thaçi.

Abazi thotë se, pasi Vasfije Krasniqi ka jetuar jashtë Kosovës, mbase nuk e di të vërtetën mbi Thaçin.

Sipas tij, shumë deputet të Thaçit votuan kundër ligjit për viktimat e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë, me politikat e tij, Abazi thotë se ka mbajtur përdhunuesit serb në polici të Kosovës.

Lexojeni shkrimin e plotë të Abazit:

Unë nuk mund të mërzitem me Vasfije Krasniqin nëse ajo pranon sot dekoratën nga Hashim Thaçi. Nuk mund të mërzitem me të se i kemi borxh për të vërtetën e rëndë që tha publikisht, për të gjitha vuajtjet e saj, e për faktin që nuk kemi arritur ende të vendosim drejtësi.

Vasfije Krasniqi, nga që ka jetuar jashtë, mbase nuk e di të vërtetën mbi Hashim Thaçin. Nuk e di që shumë deputetë të partisë së tij votuan kundër ligjit për viktimat e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë. Nuk e di që Hashim Thaçi, me politikat e tij, mundësoi mbajtjen në punë të përdhunuesit të saj serb si polic i Kosovës për 16 vjet. Nuk e di që Hashim Thaçi pak vite më parë nderoi përmendoren e disa kriminelëve serbë të luftës. Nuk e di që Hashim Thaçi po bën çmos t'i japë veriun e Kosovës Serbisë, që nuk i njohu e nuk kërkoi kurrë falje për krimet e saj në Kosovë. Nuk e di që Hashim Thaçi nuk foli kurrë për përdhunimet në bisedime me Serbinë. Nuk e di që Hashim Thaçi heshti kur Vuçiçi tha para pak javëve në Kosovë se "Millosheviçi ishte një lider i madh". Dhe mbase nuk e di se Hashim Thaçi me këtë dekoratë (që në thelb e ka për vete, e për të mbuluar turpet e tij) synon ta dhunojë simbolikisht vuajtjen e saj dhe të krejt shqiptarëve, duke shmangur drejtësinë për të gjitha këto krime.

Vasfije, ne nuk mund të mërzitemi me ty. Ne përulemi para sakrificës dhe guximit tënd. Por ne do të punojmë natë e ditë që Hashim Thaçi mos ta përdhosë më kurrë këtë popull.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat