Reçica: Zëri i Vasfijes theu heshtjen që na përcolli për shumë vjet

Aktuale

Reçica: Zëri i Vasfijes theu heshtjen që na përcolli për shumë vjet

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:16
Vasfije Krasniqi- Goodman dhe Skender Reçica

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica priti sot në takim Vasfije Krasniqi- Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.

Reçica përgëzoi Krasniqi- Goodman për kurajon dhe vullnetin për të rrëfyer ngjarjen e saj, duke u bërë zëri që theu heshtjen që na përcolli për shumë vite.

“Zëri yt është zëri i të gjitha atyre motrave dhe nënave tona që ndër shekuj kanë heshtur me gjëmën e tyre”, tha ministri.

Ministri tha se në kuadër të përpjekjeve institucionale, Qeveria ka themeluar komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

“Kjo është e pakta çfarë mund të bëjmë dhe jemi të vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme. Nevojitet guximi ynë qytetarë dhe moral që të mos heshtim, të ngrisim zërin, ta themi të vërtetën me zë”, tha ministri.

Gjatë takimit, në mënyrë simbolike ministri Reçica dhe kryetarja e komisionit qeveritar për verifikim dhe njohjen e statusit të të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë,  Minire Begaj, i dhanë Krasniqi- Goodman vendimin mbi njohjen e statusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat