Gjermania pro, Franca e Holanda ende kundër liberalizimit të vizave për Kosovën

Aktuale

Gjermania pro, Franca e Holanda ende kundër liberalizimit të vizave për Kosovën

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 12:03
Ilustrim

Ka disa javë që Gjermania, Franca dhe Holanda po përmenden si shtetet skeptike për një vendim pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo për faktin se qeverisjet në këto shtete po i druhen një reagimi të popullsisë së tyre kundër politikave lehtësuese të lëvizjes së lirë, migrantëve nga Ballkani dhe refugjatëve nga Siria.

Megjithatë, Gjermania duket se nuk është më skeptike. Nga vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në Gjermani është konfirmuar se ky shtet do të përkrahë heqjen e vizave për Kosovën.

Veseli kishte takime me homologun e tij gjerman, presidentin si dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë se atjeshme, të cilët ia kanë konfirmuar qëndrimin pro heqjes së vizave.

Por, arrë e fortë duket të jenë Franca dhe Holanda. Kjo madje, siç merr vesh kp, i është konfirmuar edhe Veselit gjatë vizitës në Gjermani, por po ashtu edhe zyrtarëve tjerë qeveritarë. Për këtë gjë është e informuar edhe Qeveria e Kosovës, në veçanti ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha.

Gjermania ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lobojnë tek Franca dhe Holanda në mënyrë që ato ta përkrahin një vendim pozitiv. Kjo gjë i është kërkuar vet kryetarit Veseli dhe Ministrisë së Integrimeve.

Kjo kërkesë apo këshillë nga Gjermania është marrë seriozisht nga kryetari i Kuvendit, dhe mësohet se ai në ditët në vazhdim do të takojë zyrtarë të lartë francezë dhe mundet edhe ta vizitojë sërish Francën.

Një tur lobimi tek këto dy shtete bëhet e ditur se do të zhvillohet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian i cili ka konfirmuar përmbushjen e gjitha kritereve.

Pas Komisionit Evropian edhe Parlamenti Evropian ka votuar pro heqjes së vizave për kosovarët, ndërsa sipas procedurave tani duhet të votohet nga Këshilli i ministrave të Punëve të Brendshme.

Në këtë vendimmarrje, shtetet si Franca por edhe Holanda përbejnë fuqi të madhe brenda vendimmarrjes së Këshillit për shkak të numrit të madh të popullsisë dhe kundërshtimi i tyre eventual rrezikon mos futjen e Kosovës në agjendën e vendimmarrjes brenda Këshillit të Ministrave gjatë këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat