Limaj: Në Bruksel nuk diskutojmë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës

Aktuale

Limaj: Në Bruksel nuk diskutojmë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 17:23
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Nisma nuk pranon të dialogojë me Serbinë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Ai tha se do të shkojnë të bisedojnë por sipas tij, me asnjë çmim kjo parti nuk ulët në tavolinë të bisedimeve për të dëmtuar shtetin e Kosovës.

Nga Malisheva, Fatmi Limaj u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë të mbajnë përgjegjësi.

Limaj: Nuk diskutojmë me Serbinë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës

“Ne nuk pranojmë dhe nuk diskutojmë jashtë asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës. Në tavolinën ku është Nisma nuk bisedohet asgjë tjetër përveç këtyre temave; fuqizimit të shtetit të Kosovës, njohjen në OKB, njohje nga pesë vende, por kemi kërkesa edhe për Bashkimin Evropian. …. Do të shkojmë të bisedojmë, gjithmonë për interesin e vendit tonë, asnjëherë në asnjë rrethanë, dhe me asnjë çmim, nuk ka tavolinë të bisedimeve që Nisma ulet për ta dëmtuar Republikën e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Shkojmë për ta fuqizuar dhe për t’i hap perspektivë vendit tonë. I bëjmë apel forcave politike që kanë marrë pëlqimin e vendit tonë mos t’i kthejnë shpinën përgjegjësive, lehtë është me ulë kokën me u bë që s’po shoh e me u bë që s’po di çka po ndodhë, por ashtu vendi nuk ecë”, ka thënë Limaj.

Ai tha se nuk do ta përdorin dialogun si temë për përçarje politike dhe dobësim të shtetit, por atë e shohin si mundësi për t’i bashkuar forcat politike dhe për ta fuqizuar shtetin.

Limaj shtoi se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në Interpol janë sfidat e ardhshme që e presin Kosovën, meqë siç tha ai, sfida e ushtrisë përfundoi.

E për çështjen e ushtrisë, Limaj përmendi kontributin e Nismës në qeveri.

Limaj: E kemi zgjidh problemin e demarkacionit dhe kemi kaluar ligjet për ushtrinë

“Nuk ka përjashtu opozitën por ia ka zgjat dorën vazhdimisht dhe duke qenë në qeveri ka ndërtu komunikim dhe bashkëpunim me forcat politike. ….1 vjet qeveri kemi zgjidh probleme, e kemi zgjidh problemin e demarkacionit që e ka mbajt 3 vite vendin, 1 vjet qeveri, që ka mujt me u bo para 4 viteve ne e kemi arritur me ia ofru sot Kosovë me pas ushtrinë, dhe urime ushtria e Kosovës. Asnjë gjë nuk kemi bërë me ligjin për ushtri, vetëm nuk kanë ditë qysh me e ba, para 3 vite u kemi thënë shkoni kështu votohet ligji, nëse shkoni në këtë rrugë keni me dështu, nuk kanë deshtë me ngu kanë dështu”, tha ai.

Para strukturave të partisë së degës së Malishevës, Rahovecit e Suharekës, Limaj kërkoi që të bashkohen sepse sipas tij veç në këtë mënyrë arrijnë objektivat që i kanë caktuar.

Në tubim mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Ai kërkoi nga bashkëpartiakët që mos të ndërprenë debatin asnjëherë.

Krasniqi: Duhet të ketë gjithmonë debate

“Debati në kuadër të strukturave të Nismës Socialdemokrate mund të jetë edhe i ashpër ndonjëherë, por duhet ta dimë se debatet gjithë janë të ashpra dhe duhet të jenë të ashpëra. Pa debate shoqëria që nuk ka mundur të ecë përpara, debati nuk duhet ta ketë qëllim konfrontimin, por duhet ta ketë qëllim arritjen e unitetit për të qenë të lirë, të drejtë dhe solidar edhe mbi njëri-tjetrin, nëse nuk jemi solidar me njëri tjetrin nuk do të mund të jemi as me ata që janë jashtë sallës. Ne duhet t’i flasim haptas njëri-tjetri, ne tani e kemi këtë fuqi politike që e kemi, dhe për këtë fuqi që e kemi jemi të obliguar t’i falënderojmë strukturat drejtuese”, tha ai.

Ai kërkoi që të mbrohet liria, drejtësia dhe të ruhet solidariteti mes njerëzve.

Nga Malisheva, kreu i Nismës tha se prej sa jenë pjesë e qeverisë kanë prek kërkesat dhe nevojat e njerëzve dhe kanë sjellë një qasje të re të konceptit politik në qeveri dhe parlament.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat