Nga një muaj paraburgim për zv.ministrin Cena dhe dy të tjerët

Aktuale

Nga një muaj paraburgim për zv.ministrin Cena dhe dy të tjerët

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 08:30
Veteranët e AAK-së, në takimin e organizuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj!

(E plotësuar) - Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga 1 muaj paraburgim për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, dhe dy të tjerëve, Hazër Shehu dhe Nysret Shala.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës me nga një muaj paraburgim kundër tre të pandehurve M.C., N.SH., dhe H.SH., për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.C duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitime të tij materiale së bashku me dy të pandehurit N.SH dhe H.SH.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër këtyre tre të pandehurve është e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Po ashtu ekziston rreziku se po të lihen në mbrojtje në liri të pandehurit do të mund të ndikojnë në njeri-tjetrin për të koordinuar mbrojtjen e tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Zëvendësministrit që është zyrtar i AAK-së i caktohet paraburgimi

Burime të mediave  brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar se Zëvendësministrit Musa Cena i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Cena u arrestuar një ditë më parë nën dyshimin se kishte marrë ryshfet dhe keqpërdorur pozitën zyrtare. Ramush Haradinaj ende nuk e ka shkarkuar derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës s’ka lëshuar asnjë reagim.

Shumë shpejt pritet të publikohet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin do t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.

Burime të mediave kanë thënë se vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të kërkesës së Prokurorisë e cila ka kërkuar 30 ditë paraburgim për zyrtarin e Qeverisë i arrestuar të shtunën mbrëma teksa ishte duke u marrë me ryshfet e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Zëvendësministrin janë arrestuar edhe Nysret Shala zyrtar në Komunën e Rahovecit, dhe Hazer Shehu, pronar i një kompanie private.

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka shkarkuar zyrtarin e zënë të zhytur në ryshfet.

As AAK’ja e Ramush Haradinajt nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë skandal të zyrtarit të tyre.

Nis seanca dëgjimore për zëvendësministrin e Haradinajt, i dyshuar për marrje ryshfeti

Ka nisur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, i dyshuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sot mbahet seanca dëgjimore për Cenën, mësohen emrat e të dyshuarve tjerë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se kanë dërguar kërkesën tek Gjykata Themelore që të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Beka ka treguar se vendim i njëjtë është marrë edhe për dy personat tjerë të arrestuar që ishin bashkë me të. Ai tha se dy personat tjerë të arrestuar janë Nysret Shala zyrtar në Komunën e Rahovecit, dhe Hazer Shehu, pronar i një kompanie në Kosovë.

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për zëvendësministrin e arrestuar

Prokuroria do t’i kërkojë Gjykatës 1 muaj paraburgim për zëvendësministrin Musa Cena.

Ibrahim Berisha, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se do të kërkojë 1 muaj paraburgim për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, i arrestuar mbrëmë, Musa Cena.

Ai tha se e kanë obligim ligjor që brenda 24 orëve, të dërgojnë në Gjykatë kërkesën për paraburgim ndaj tij.

“Po besoj që nesër pritet të merret ndonjë vendim nga Gjykata, pasi nesër do të bëhen 48 orë. Ne kemi afat 24 orë që të bëjmë kërkesën tonë”, tha ai.

Musa Cena që vjen nga partia AAK, që e drejton kryeministri Ramush Haradinaj, u arrestua dje si i dyshuar në veprat penale ‘Marrje e Ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit Zyrtar’ sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

***

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë  tre persona për “marrje ryshfeti” si dhe “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, në mesin e tyre është edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Këtë e ka konfirmuar Imer Beka, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Mund të konfirmojë se me urdhër të prokurorit të rastit, Kujtim Munishi jam informuar se policia ka arrestuar zv/ministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena dhe dy të dyshuar tjerë për veprën penale ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘marrje të ryshfetit’. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj të njëjtëve vendoset a do të shkohet me kërkesë për caktim të paraburgimit si masë e sigurisë së prezencës së të dyshuarve në procedurë hetimore”, ka thënë Beka.

Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e tre personave, të dyshuar për “marrje ryshfeti” si dhe “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore, ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar të involvuar në veprat penale ‘Marrje e Ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit Zyrtar’ sipas kodit penal të Republikës së Kosovës. Te dyshuarit duke vepruar ne bashkryerje dyshohet se kane marrë ryshfet nga pala e dëmtuar”, ka thënë zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha.

Ministria  e Zhvillimit Rajonal është nën udhëheqjen e Rasim Demirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat