Ndryshimi i ligjeve për FSK-në, a po bëhet transformimi në ushtri?

Aktuale

Ndryshimi i ligjeve për FSK-në, a po bëhet transformimi në ushtri?

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 11:45
Forca e Sigurisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka votuar pakon me tre projektligje që parashohin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Republikës së Kosovës. Transformimi i Forcës po bëhet vetëm me ndryshime ligjore, në mungesë të përkrahjes së Listës Serbe për ndryshime kushtetuese, andaj me këto ligje emri i FSK-së do të mbetët i njëjtë. Njohës së kushtetutës po konsiderojnë se FSK nuk mund të quhet ushtri derisa nuk i ndërrohet emri.

Ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi në parim tri projektligje që Qeveria e Kosovës i ka propozuar për transformimin e FSK-së.

Në këtë mënyrë po synohet që FSK-së t’i shtohen kapacitet dhe përgjegjësitë, por, ajo që po mbetët e njëjtë është emri.

Në këto rrethana, profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se mund të bëhet vetëm avancime dhe në asnjë mënyrë ndërhyrje në emërtim.

Baraliu: Me ndryshime ligjore bëhen vetëm avanvime

“Avancime mund të bëjmë në kuptimin që tham më parë ne këtu, të ri-përshkrimit të kompetencave dhe ingirencave, por në asnjë mënyrë të emërtimit dhe funksionit primar që duhet ta ketë një ushtri nuk mund ta bëjnë me ligj sepse do të binte menjëherë ndesh me Kushtetutën dhe nuk mund të shkojnë ligje të tilla do të jenë detyruar patjetër të prishen nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ai.

Sipas Baraliut, pa ndryshimin e emrit të FSK-së, nuk mund të ketë transformim.

Profesori Baraliu thotë se çështja kryesore është emërtimi, andaj sipas tij, do të duhej të kishte ndryshime kushtetuese.

Baraliu: Nuk ka transformim pa ndryshimin e emrit

“Në radhë të parë, pa ndryshimin e emrit të Forcës së Sigurisë nuk ka transformim, sepse emërtimi dhe emri janë çështja e parë kryesore e një formacioni të caktuar të mbrojtjes apo sigurisë, në këtë rast për ushtrinë do të duhej që për të pas transformim, do të duhej që në Kushtetutë, më tepër se në ligj, ligjet që po plotësohen dhe ndryshohen, do të duhej të ketë ndryshim dhe plotësim të Kushtetutës dhe aty ku shkruan FSK, të rregullohet edhe kompetenca edhe ingirenca edhe emërtimi, dhe veprimtaria e ushtrisë, do të duhej të rregullohej me Kushtetutë. Pra nuk kemi të bëjmë me transformim por me shtimin e disa funksioneve të FSK-së, por si FSK dhe nuk kemi transformim, andaj duhet pasur të qartë, për të pasur transformim është kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, kusht parësor, të ketë një debat publik të gjerë dhe gjithëpërfshirës ku do të përfshihej elementi politik, në këtë rast edhe Lista Ser be dhe komunitetet, ndërkohë që Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi janë kundër ushtrisë së Kosovës”, tha ai.

Por nuk mendon njëjtë ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Sipas tij, emri nuk e bënë ushtri por misioni dhe detyrat.

Kastrati: Ushtria e Kosovës bëhet edhe me këtë emër

“Emri nuk e bënë ushtri, e bën misioni, nga misionit dalin detyrat, nga detyrat del armatimi. Pajisjet dhe të gjitha nevojat e tjera që i nevojiten një ushtrie. Ushtria e Kosovës bëhet edhe me këtë emr që i mbetet emri i Forcës së Sigurisë dhe me këto tre draft ligje që kanë shkuar në Parlament”, thotë ai.

Ndërsa njohësi i sigurisë, Ramadan Qehaja ka thënë se votimi i projektligjeve në Kuvend përbën nisjen e një procesi mjaft kompleks të krijimit të kapaciteteve ushtarake.

“Lajmi për miratimin e pakos së re ligjore që i hap rrugë marrjes së mandatit të mbrojtjes për FSK padyshim se më gëzoi tejmase. Kjo jo vetëm për faktin se jam ushtarak i karrierës por para së gjithash që janë bërë shumë sakrifica deri në arritjen e kësaj të drejte tonë legjitime. Mburrem që kam kontribuar me dekada në ngritjen e kuadrove shqiptare në sferën e mbrojtjes dhe që kam avokuar aktivisht në funksion të përmbylljes se arkitekturës së sigurisë së Kosovës. Sigurisht se votimi në Kuvend përbën nisjen e një procesi mjaft kompleks të krijimit të kapaciteteve ushtatake. Këtë do ta mbërrijmë fal bashkëpunimit bilateral ushtarak me shtetet mike të cilat do ti paraprijnë cakut tonë strategjik për integrim në NATO. Mandati i ri i FSK i prirë nga Ministria e Mbrojtjes do të jetë në funksion të krijimit të kapaciteteve defanzive ushtarake. Pra, misioni i ri do të jetë në shërbim të paqes dhe jo luftës” , ka shkruar ai.

Ndërkohë amerikanet kanë deklaruar për media se e mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale.

Kujtojmë se projektligjet e votuara në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar vetëm shqyrtimin e parë dhe pritet që të procedohet edhe shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre final para se të mund të nënshkruhen nga presidenti i vendit.

Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që FSK të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por emri i mbetët i njëjtë.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98 vota, kurse ai për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës u miratua me 96 vota.

Projektligjet për FSK-më i mbështetën nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe. Ata bojkotuan seancën ku po votohej pako me tre projektligjet për transformimin e FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat