Jakup Krasniqi tregon ku gjenden sulmuesit e “pelegrinëve” serbë

Aktuale

Jakup Krasniqi tregon ku gjenden sulmuesit e “pelegrinëve” serbë

Nga: A.Zh Më: 22 tetor 2018 Në ora: 09:30
Jakup Krasniqi

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, ka reaguar për sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog.

Krasniqi ka thënë se sulmuesit e tyre janë në Beograd dhe jo në Kosovë e askund tjetër, përcjell Bota sot.

Ai ka kritikuar zyrtarët serbë, duke thënë se ata nuk dalllojnë me asgjë nga presidenti i tyre Aleksandar Vuçiq, që sipas tij, mbështet edhe sot politikën gjenocidiale të Millosheviqit.

“Shikoni e dëgjoni se çka flasin për çdo ditë zyrtarët më të lartë të Serbisë. Shikoni angazhimet e tyre ku do ku u jepet rasti se çka thonë për shtetin tone”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Sulmuesit e “pelegrinëve” serbë, kërkoni në Beograd

Zyrtarët e Kosovës apo kushdo tjetër kot i kërkojnë e distancoheni nga sulmuesit e “pelegrinëve” serbë ne Istog a diku tjetër në Kosovë, sulmuesit janë vetëm në Beograd e askund tjetër. Nuk janë “pelegrinë” ata, që në Kosovë vijnë me logjikën e mitologjisë shoviniste serbe, me logjikën e politikës se gjenocidit serb, me logjikën e medieve serbe që mbjellin përditë urrejtje ndaj shqiptarëve në përgjithësi e atyre të Kosovës në veçanti, nuk mund të vijnë “pelegrinët” në Kosovë me logjikën mitomanisë shoviniste të Kishës serbe në Kosovë.

Të gjithë e dimë se çka kanë mbjellë për gati një shekull regjimet e ndryshme serbe në Kosovë. Ato regjime kanë mbjellë më se një herë gjenocid në Kosovë. Kulmi ishte politika serbe e gjenocidit e ndjekur në mënyrën më të egër gjatë viteve 199o – 1999. Nga ajo politikë, nuk janë distancuar as dje e as sot drejtuesit më të lartë të shtetit në Beograd. Në fjalimin e fundit në Kosovë, Presidentit të Serbisë i vinte keq pse nuk janë realizuar politikat e Millosheviqit. Asnjë keqardhje për politikën e gjenocidit serb në Kosovë. As qeveritarët tjerë serbë, me asgjë nuk dallojnë nga i pari i Serbisë.

Shikoni e dëgjoni se çka flasin për çdo ditë zyrtarët më të lartë të Serbisë. Shikoni angazhimet e tyre ku do ku u jepet rasti se çka thonë për shtetin tonë. Shikoni se cili është angazhimi i tyre për të penguar ecjen e Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, të sigurisë e të anëtarësimit në OKB e mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Nëse dikush në ketë hapësirë Ballkanike e ka krijuar frymën e urrejtjes në mes popujve, ajo frymë askund nuk gjendet si në Beograd dhe në të gjitha pushtetet e ati shteti. Si në atë politik e shtetëror, në atë mediatik, akademik e fetar, kudo atje mbjellët urrejtje ndaj shqiptarëve. Një fjalë thotë: “Kush mbjellë erë, korrë furtunë”!

Shumë furtuna ka mbjellë në shekullin XX Beogradi politik në Kosovë! Mbi 100.000 shqiptarë të vrarë e të masakruar, mbi një milion të depërtuar në vende të ndryshme të Botës e zjarrvëniet e përsëritura mbi pasurinë private e publike dhe grabitje prej më të ndryshmeve. Furtunat shkaktojnë tajfune!

Vetëm në Beograd krijohet fryma dhe atmosfera për ardhjen e pelegrinëve paqësor në Kosovë. Atje jo vetëm që nuk është krijuar kjo frymë, por mbillet përditë fryma e urrejtjes! Prandaj, sulmuesit e “pelegrinëve” serb, kërkoni, i keni dhe i gjeni vetëm në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat