Sistemi i drejtësisë të reagojë më shpejt ndaj viktimave të krimit

Aktuale

Sistemi i drejtësisë të reagojë më shpejt ndaj viktimave të krimit

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 10:21
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Kosova nuk lëngon për mungesë të legjislacionit për mbrojtje të viktimave të krimit, por nga mos implementimi i tij. Kryesit e krimit duhet të marrin dënimin meritor dhe viktimat duhet të mbrohen.

Kështu u tha në ceremoninë “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “Drejtësi për viktimat, ndëshkim për kryerësit”, e cila po mbahet për herë të nëntë nën përkujdesjen e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai tha se askush nuk do të amnistohet nga ndjekja penale pavarësisht statusit në shoqëri dhe kryesit e krimit duhet të ndëshkohen. Ndërkohë që janë bërë përparime të dukshme për mbrojtjen e viktimave të krimit, ai ka kërkuar nga sistemi i drejtësisë të reagojë me kohë, me qëllim që të parandalohen fatkeqësitë.

Me qëllim që të ofrohet  mbrojtje ligjore sa më dinjitoze për këto viktima, kryeprokurori i shtetit tha se është krijuar legjislacion bashkëkohor  përmes së cilit edhe mundësohet  kompensimi për dhunën ndaj viktimës.

Lumezi: Askush nuk do të amnistohet nga ndjekja penale

“Ne me punën tonë kemi arritur të përcjellim mesazhin e qartë se askush nuk do të amnistohet nga ndjekja penale pa marr parasysh statusit dhe forcës së tyre në shoqëri. Do të ndërmarrim të gjitha veprimet  nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me seriozitet dhe dinjitet për këtë e kemi krijuar infrastrukturën e duhur ligjore dhe humane. Të gjithë ne duhet të angazhohemi në mënyrë që marrjen e masave adekuate për ndëshkimin e krimit si dhe për mbrojtjen e viktimave. Edhe gjykatat kanë një rol të rëndësishëm në ndëshkimin e krimit ato duhet të reagojnë shpejt në të gjitha paralajmërimet për dhunën në familje”, u shpreh ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin  e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit” ka kërkuar nga prokurorët dhe gjykatësit që përgjegjësit e tyre t’i marrin seriozisht.

Sipas tij ndonëse Kosova është lidere në rajon në sigurimin e të drejtave të viktimave të krimit, ende ka punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Kreu i shtetit duke e konsideruar si sukses për sistemin e drejtësisë ligjin për kompensim të viktimave, u  shpreh se do të kërkojnë drejtësi edhe për të gjitha viktimat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në vend.

Thaçi: Dhuna në Kosovë nuk do të lejohet

“Në Kosovën që po ndërtojmë dhuna në familje, dhuna kundër më të lëndueshmëve dhe më të ndjeshmit nuk do lejohet në Kosovë. Ky është obligim i të gjithë neve si shoqëri dhe si institucione dhe është obligim në veçantë i organeve të drejtësisë që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që ushtrojnë dhunë, të mos neglizhohet asnjë rast. Kërkoj që çdo gjykatë dhe prokuror të marr përgjegjësit e veta ligjore të viktimave seriozisht. Ndonëse po punojmë që të mbyllim kapitullin e luftës për të mirën e gjeneratave të ardhshme kjo nuk do të thotë që nuk do të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë, të gjithë së bashku do të këmbëngulim që të mësohet e vërteta për çdo viktimë dhe do të kërkohet drejtësia për secilin dhe secilën prej tyre” , ka deklaruar Thaçi.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u shpreh se Kosova është vendi i parë në rajon që ka ndërtuar ligjin për kompensimin e viktimave të krimit, dhe përmes këtij ligji sistemi i drejtësisë për këto viktima po avancohet.

Tahiri: Sistemi i drejtësisë për viktimat e krimit po avancon

“Konfirmojmë se nga viti në vit po avancohet jo vetëm shfrytëzimi i të drejtës së viktimave por edhe vetë sistemi që garanton këto të drejta. Krahas punës së mirë të komisionit për kompensimin e viktimave të krimit i cili këtë vit ka pranuar dhe shqyrtuar më shumë kërkesa për kompensim, si ministri kemi ndërmarr dhjetëra-mijëra nisma ligjore që rregullojnë fusha të ndryshme të çështjeve kyçe në drejtësi. Kanë themeluar mekanizma shtetëror dhe institucional për realizimin e të drejtave dhe mbrojtjen e viktimave përfshirë kompensimin e tyre që lirisht mund të konstatojmë që përmes kësaj baze ligjore reflektohet fryma më demokratike dhe më e përshtatshme për adresimin e kësaj çështje”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci u shpreh se sistemi i drejtësisë shpesh ballafaqohet me sfida që kryesit e viktimave të krimit t’i sjellë para drejtësisë. Ai tha se sistemi i drejtësisë duhet të ndëshkojë të gjithë kryesit e krimit me dënim të merituara dhe nuk duhet të jenë tolerant ndaj tyre.

Peci: Kosova lëngon nga mos zbatimi i legjislacionit për mbrojtje të viktimave të krimit

“Nuk guxojmë dhe nuk na falet që të jemi tolerantë ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut të grave në këtë rast, nuk guxojmë të falin atë që përdorin forcën ndaj dikujt që është më i dobët fizikisht në këtë aspekt dhe ai dikush në shumicën e rasteve është një nënë, një grua, një vajzë, një motër, një fëmijë ndaj të cilit përdoret dhuna, rrihet e madje edhe vritet. Rastet e fundit të dhunës në familje duhet të marrin përgjigjen e duhur nga organet kompetente që nga Policia e deri tek vendimi i gjyqtarit. Kosova nuk lëngon për mungesë të legjislacionit sipas të cilit sigurohet mbrojtja e viktimave, por lëngon më shumë për zbatimin efikas të këtij legjislacioni”, tha Peci.

Ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland ka kërkuar që dhuna në familje të trajtohet në kategorinë prioritare.

Hyland: Mbështetja e viktimave duhet të jetë në qendër të punës tuaj

“Hapi i radhës është që t’i thurim lidhjet në mes të institucioneve për të krijuar një rrjet të sigurisë që i mbështet viktimat. Mbështetja e viktimave duhet të jetë në qendër të punës suaj këtë vit Kosova pa vrasje tragjike si rezultat i dhunës në familje, fatkeqësisht ato ishin të parandaluara, është e qartë se të gjithë duhet të jenë sy qel për këtë çështje dhe duhet t’i inkuadrojmë viktimat që të kërkojnë asistencë”, ka thënë Hyland.

Menaxheri i Zyrës për Mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave, Basri Kastrati, duke i treguar shifrat e rasteve të viktimave të dhunës për vitin 2017,  tha se numri i viktimave të dhunës po shtohet derisa theksoi që kjo rrit përgjegjësinë e institucioneve për t’u dalë në mbrojtje.

Kastrati: Dhuna në familje po rritet

“Edhe përkundër faktit se është bërë një  progres në aspektin e koordinimit, por megjithatë mendoj që të gjithë akterët duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Nëse i shikojmë statistikat të zyrës tonë të cilat në vitin e kaluar kemi asistuar në total 1374 raste del se prej tyre 1081 raste janë raste të dhunës në familje, kjo tregon se vërtet numri i rasteve të dhunës në familje është në rritje dhe 597 prej tyre kanë kërkuar urdhër mbrojtje”, ka thënë ai.

Ndryshe,  “Java për të drejtat e viktimave të krimit” do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme ku do diskutohet për strategjinë kombëtare kundër dhunës në familje dhe riintegrimin e dhunës.

Thaçi: Do të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës në Kosovë

Nën patronatin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot është mbajtur ceremonia “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “ Drejtësi për viktimat, ndëshkim për kryerësit”.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka shprehur angazhimin për funksionimin e shtetit ligjor, duke thënë se kanë themeluar edhe zyrën për mbrojtjen e viktimave të krimit me qëllim të ofrimit të mbrojtjes ligjore për këtë kategori.

"Do ndërmarrim të gjitha masat e nevojshëm që viktimat e dhunës të trajtohen si duhet sepse ka krijuar në sistem të duhur ligjor, është bërë mjaft punë,  por duhet edhe më tutje të bëhet që mos të merrem pastaj vetëm me rastet post-mortum.  Akterët duhet të reagojnë me kohë kur është në rrezik jeta e njeriut. Dua të inkurajoj edhe familjarët që ta lajmërojnë dhunën ndaj fëmijëve të tyre", tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve është obligim thelbësor i të gjithëve.

Duke folur për Ligjin e kompensimeve të viktimave të krimit Thaçi tha se ligji synon që t’iu dal në krah grave dhe fëmijëve.

“Në Kosovën që po ndërtojmë dhuna në familje nuk do lejohet në Kosovë dhe është obligim i të gjitha institucioneve që rastet të trajtohen dhe kryesit e viktimave të krimit të dënohen”.

Kreu i shtetit tha se do kërkojnë drejtësi për çdo viktimë të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland u shpreh se është koha që institucionet që i kanë obligim t’i mbrojnë viktimat e krimit.

Duke kërkuar që  t’u ofrohet sa më shumë mbështetje për këto viktima, Hyland tha këtë vit Kosova pa raste të dhunës në familje, ku  ato ishin parandaluese e jo të fshihen, por duhet një reagim me kohë institucional.

***

Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot mbahet ceremonia “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “ Drejtësi për viktimat, ndëshkim për kryerësit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat