Mbledhja e dy qeverive më 26 nëntor, Limaj kërkon mobilizimin e ministrave

Aktuale

Mbledhja e dy qeverive më 26 nëntor, Limaj kërkon mobilizimin e ministrave

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 17:03
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, në prag të mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka kërkuar nga ministrat kosovarë që të raportojnë për arsyet e mos implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani mes dy vendeve.

Ai me këtë rast shpalosi pikat kryesore që do të jenë pjesë e mbledhjes së përbashkët që do të mbahet në muajin nëntor në Pejë.

Limaj: Ministrat të shpjegojnë arsyet për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura

“Ministrave po iu kërkoj që marrëveshjet të cilat janë nënshkruar e nuk janë zbatuar, pse nuk janë zbatuar ato marrëveshje. Nëse ka marrëveshje që ende nuk po implementohen, ku janë shkaqet, ku janë arsyet, çka duhet me u bë për me u implementuar ato marrëveshje, dhe ata të cilët kanë një propozim-marrëveshje që vlerësojnë se duhet me u arrit një marrëveshje më 26 nëntor, ju lutem sa më shpejt na i bini propozimet që t’i fusim në rend dite. Besoj se më 26 nëntor do të jemi gati për mbledhjen e përbashkët”, tha Limaj.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se nga mbledhja e 26 nëntorit presin që të dalin me një marrëveshje konkrete për doganat, heqjen e roaming-ut, njohjen e licencave nga të dyja vendet, shqyrtimin e taksës për autostradën dhe çështje tjera.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar Draft-strategjinë shtetërore kundër korrupsionit dhe Planin e veprimit kundër korrupsionit 2018-2022, ndërsa ka ndarë 200 mijë euro për indikatorët e qeverisjes nga agjencionet e OKB-së, por nuk u bë e ditur se mbi kë do të bie përgjegjësia e sigurimit të këtyre mjeteve.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se kanë marrë për obligim që trashëgimia kulturore brenda objektit të ruhet, por dedikimi të ndërrojë.

"Komisioni Evropian ka ndarë një buxhet për një sallë koncentrale dhe pas shumë diskutimeve ndërtesa 'Gërmia' është objekti më adekuat. Ky destinacion është prej 11 - 15 milionë euro" , tha ai.

Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, bëri të ditur se Qeveria ka ndarë rreth 1.5 milionë euro për mbulimin e 20 përqindëshit.

Qeveria ndau po ashtu 35 mijë euro për pagesën e mjeteve për nevojat e shpronësimit të ndërtesës "Objekti - Afarist përdhes ish-Barnatorja e qytetit",   3.3 milionë për pagesën e mjeteve për nevoja të shpronësimit të ndërtesës së ish-NSH "Rilindja", si dhe 1 milion e 153 mijë euro për pagesën e mjeteve për nevojat e shpronësimit të ndërtesës "Banka Themelore e Bankës së Lubjanës".

Gjithashtu, u mor vendim për themelimin e Këshillit për Siguri në Trafikun Rrugor.

Ministri i Financave Bedri Hamza, duke prezantuar raportin nëntëmujor financiar të buxhetit 2018,  tha se komunat e Kosovës nuk kanë performancë të mirë dhe ka bërë thirrje që të realizohet plani i të hyrave.

"Dogana dhe Administrata Tatimore e  Kosovës kanë performuar mirë. Presim që sivjet të kemi përmbushje pothuajse 100 për qind të planit buxhetor. Presim që deficiti buxhetor të jetë më i vogël. Borxhi publik është rreth 18 për qind e bruto produktit vendor. Buxheti i vitit 2019 pritet të jetë 2.3 miliardë euro", u shpreh ai.

Po ashtu, qeveria miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Panamasë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat