Osmani: Qeveria Haradinaj e ka shndërruar shërbimin e jashtëm në shërbim të partive në pushtet

Aktuale

Osmani: Qeveria Haradinaj e ka shndërruar shërbimin e jashtëm në shërbim të partive në pushtet

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 11:53
Vjosa Osmani

Emërimet e ambasadorëve nga ana e Qeverisë Haradinaj nuk po bëhen në bazë të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, duke tejkaluar kështu kufizimin që së paku 50% prej tyre të jenë ambasadorë të karrierës.

Madje 90% e ambasadorëve të Kosovës janë politikë. Kështu të paktën ka potencuar në një prononcim për media, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, njëherësh edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se Qeveria Haradinaj e ka shndërruar shërbimin e jashtëm në një shërbim të partive në pushtet.

“Ligji është i qartë në kërkesën që emërimet politike nuk mund të jenë mbi 50%. Fatkeqësisht tani kemi një tejkalim të madh të kësaj përqindje dhe emërimet politike kanë arritur në diku 90%, duke e shndërruar kështu shërbimin e jashtëm në një shërbim të partive në pushtet”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se për këto shkelje ligjore është diskutuar edhe në mbledhjet e komisionit të cilin ajo e drejton, duke shtuar se kanë formuar një Grup punues për monitorimin e kësaj situate.

” Deri tani këto shkelje ligjore i kemi trajtuar në shumë mbledhje të Komisionit, përfshirë mbledhjen e fundit ku kemi trajtuar edhe vlerësimet e sindikatës së MPJ-së rreth këtyre shkeljeve.

Si Komision kemi formuar një Grup punues që në veçanti do të monitorojë këto shkelje dhe brenda dy javësh përafërsisht do të dalë me rekomandim”, theksoi Osmani.

Tutje, deputetja e LDK-së ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi, që të mos dekretojë emërimet e ambasadorëve politikë.

“Ne i kemi bërë thirrje edhe Presidentit që mos të dekretojë emërimet politike meqë bie ndesh me ligjin dhe kompetencat e tij kushtetuese, por ashtu siç edhe është pritur ai ka vazhduar me nënshkrimin e këtyre emërimeve”, tha Osmani.

Ndërkaq, neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik e përcakton qartazi se emërimet politike të ambasadorëve nuk duhet të jenë mbi 50%.

“Së paku pesëdhjetë për qind (50 %) të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Media po ashtu ka provuar të marrë përgjigje rreth kësaj çështje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, por të njëjtit nuk kanë kthyer. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat