Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka bërë të ditur se janë duke folur me deputetë të ndryshëm të partive në pushtet që ta kenë votën e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Beqiri pa dashur të japë emrat e deputetëve nga radhët e pozitës me të cilët janë duke diskutuar, tha se sikurse ndodhi rrëzimi i Qeverisë Mustafa me mocion, e njëjta do të ndodhë edhe me Qeverinë Haradinaj.
“Edhe këtu ka me ndodh rrëzimi i Qeverisë, me votat e opozitës dhe me disa deputetëve të partive në koalicion”, tha Beqiri.
Ai folur edhe për kërkesën e vazhdueshme të LDK-së për zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se kjo Qeveri është e brishtë dhe si e tillë nuk mund të funksionoj.
“Kjo Qeveri është në këmbë të qelqta, është e brishtë, nuk po funksionon si duhet, rrugëzgjidhje e tejkalim i kësaj situate është shkuarja në zgjedhje”, ka thënë Beqiri.
Në rast të shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, Beqiri shtoi se organet e partisë marrin vendim se a do të ketë koalicion parazgjedhor apo LDK do të dalë e vetme.
Ai theksoi se PDK-ja përjashtohet nga çdo lloj mundësie për lidhje të koalicionit.
“Organet e partisë marrin vendim se a do të ketë koalicion parazgjedhor. PDK përjashtohet nga kjo mundësi pra nga hyrja në koalicion parazgjedhor dhe paszgjedhor. Synimin e kemi që si parti të dalim të parët pastaj do të flasim për koalicion paszgjedhor”, ka thënë Beqiri.
Beqiri theksoi se nuk e kanë problem për caktimin e kandidatit për kryeministër.
Duke folur rreth procesit të brendshëm zgjedhor në LDK, sekretari i këtij subjekti, Ismet Beqiri tha se zgjedhjet në LDK mbahen vitin e ardhshëm, por për datën dhe muajin vendos kryesia e LDK-së.