A garanton marrëveshja përfundimtare njohjen nga Serbia?

Aktuale

A garanton marrëveshja përfundimtare njohjen nga Serbia?

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 22:28
Ilustrim

Përkundër faktit se BE-ja disa herë i kishte bërë Serbisë presion që ta njoh pavarësinë e Kosovës si dhe të arrihet një marrëveshje mes të dyja vendeve, kjo gjë shihet si shumë skeptike në Kosovë.

Shanset që Kosova të arrijë një marrëveshje më Serbinë në mënyrë që kjo e fundit ta njoh pavarësinë e Kosovës, duket të jenë të pakta.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se BE-ja dhe partnerët ndërkombëtar i kanë vënë kushte Serbisë që ta detyrojë ta njohë Kosovën si shtet, derisa thotë se kjo “nënkupton që detyrohemi të arrijmë një marrëveshje paqeje”.

“Ajo që është dashtë që të ndodh në Ballkan, pavarësisht kushtëzimeve, është dashtë që të ndodh një proces i dialogut i paqes edhe kjo është në të mirën e popujve. Ndërsa në qoftë se kjo nuk do të mund të ndodhte, BE-ja tashmë edhe partnerët ndërkombëtar kanë vënë kushte që ta detyrojë ta njoh Kosovën. Kjo nënkupton që detyrohemi të arrijmë një marrëveshje paqeje, një marrëveshje në dialog dhe kjo besoj që është mirë për të dyja palët. Kjo është ajo që pritet”, ka thënë Pajaziti.

Pajaziti po ashtu thotë se në aspektin e njohjes është skeptik për shkak të përvojës së kaluar, ku Serbia nuk i ka respektuar disa prej marrëveshjeve të arritura.

Por megjithatë, Pajaziti pohon se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje paqeje mes të dyja vendeve.

“Ne kemi një përvojë të hidhur historikisht me Serbinë për shkak të sjelljeve të saja, një përvojë mosbesimi që bazohet në fakt. Vetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ka derivuar me mosrespektim të disa marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe kjo na bënë pak skeptik në këtë drejtim. Mirëpo, sido që të jetë procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë më një marrëveshje paqeje mes dy popujve”, ka thënë Pajaziti.

Ndërsa Fatmire Kollçaku, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është e qartë se Serbia nuk do ta njoh Kosovën brenda natës dhe se këtë nuk do ta bëj në asnjë format pa pasur një parapërgatitje.

“Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë të qartë se cila është ecuria e një formati të ri të një dialogu, se është e qartë se Serbia nuk do të na njoh brenda natës, dhe nuk do të na njoh në asnjë format pa e pasur një parapërgatitje. Ne jemi të qartë në atë drejtim se fillimisht një dialog, ju e dini është zhvilluar prej 2011 deri 2017 dhe asnjëherë nuk është bërë një analizë e këtij dialogu. Domethënë kemi edhe një raport të qeverisë 30 faqesh për sfidat dhe arritjet e dialogut që është dashtë të debatohet në Kuvend”, ka deklaruar Kollçaku.

Ajo po ashtu thotë se është dashur që Kosova të hartojë një liste me kërkesa karshi Serbisë, pasi sic thotë ajo, Serbia i ka borxh Kosovës.

“Ne është dashur që të hartojmë një listë me kërkesat tona karshi Serbisë që ka shumë borxh, ne nuk i kemi borxh, por ajo neve na ka shumë borxh. Pastaj ne është dashtë që në kuvend ta miratojmë një platformë me parime, të bazuar me parime dhe qëllime të caktuara. Pra ne nuk mundemi që të shkojmë në dialog pa e pasur një platformë të qartë. Në fund të formohet një ekip negociator i cili do të udhëhiqet bazuar në këtë platformë që do ta merrte autorizimin e kuvendit. Ju e dini që aktualisht një dialog që po zhvillohet në krye të cilit është presidenti Hashim Thaçi i cili ka ndërmarr një aventurë personale, ku nuk ka as kompetencë kushtetuese dhe as nuk është i autorizuar nga Kuvendi dhe dialogu i deri tanishëm nuk i ka sjellur Kosovës asgjë të mirë deri me tani”, ka thënë Kollçaku.

Ndërkohë, analisti i çështjeve politike, Imer Moshkolaj ka thënë për lajmi se kjo do të duhej të ishte të ishte pika kryesore e platformës së Kosovës në raport me Serbinë, pasi siç thotë ai, nuk ka kurrfarë logjike që të vazhdojë dialogu që ka nisur që 7-8 vite, e të arrihet marrëveshja dhe në fund, siç thotë ai, Serbia mos ta njohë pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai beson se nuk do të ndodhë.

Mushkolaj po ashtu vlerëson se Serbia edhe pas arritjes së marrëveshjes nuk do ta njohë Kosovën, sepse nuk e ka këtë kusht deri sa të afrohet anëtarësimi i saj në BE.

“Serbia edhe pas arritjes së marrëveshjes nuk do të na njoh, sepse nuk e ka këtë kusht që të na njoh deri sa të afrohet anëtarësimi i saj në BE. Pra mund të arrihet marrëveshja, Serbia mund të thotë se ja unë, po e lejoj edhe pse nuk e ka në dorë anëtarësimin e Kosovës në OKB, për shkak se e dimë që Rusia dhe Kina janë dy shtet që vendosin, jo Serbia edhe mund ta shtyj njohjen e Kosovës deri në vitin 2025, kur e ka një far afati që ia ka dhënë BE-ja për anëtarësim”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, Kosova është dashur që ta kushtëzoj Serbinë qysh në fillim të dialogut, pasi siç thotë ai, pikërisht kjo qasje e Prishtinës në dialog me Beogradin, e ka pru situatën, ku Kosova nuk ka përfituar asgjë në rrugën e integrimeve Evropiane.

“Por Kosova duhet me e kushtëzu, është dashtë kushtëzimet me i vendos shumë ma herët jo vetëm për njohje nga Serbia, por edhe për raste tjera fatkeqësisht. Pikërisht kjo qasje e Prishtinës në dialog me Beogradin e ka pru situatën ku përnjëmend Kosova nuk ka përfituar asgjë në rrugën sa i përket integrimeve Evropiane, ndërkaq Serbia pikërisht për shkak se Kosova ka leshu pe, është aq afër integrimit evropian”, ka thënë Mushkolaj.

Theksojmë se përderia BE-ja nuk ka ndonjë datë për takimin e rradhës mes Thaçit dhe Vuçiq, të dy presidentët pritet që të takohen më 11 nëntor në Paris me rastin e Ditës së Armëpushimit të Parë në Luftën e Parë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat