LDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për çështjen e korrigjimit të kufijve - Bota Sot
LDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për çështjen e korrigjimit të kufijve

Aktuale

LDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme për çështjen e korrigjimit të kufijve

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 14:17
Kuvendi i Kosoves

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se do të dorëzojnë kërkesën e re në Kryesi të Kuvendit për të kërkuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme dhe miratimin e rezolutës e cila kërkon që çështja e kufijve të Kosovës  të mos diskutohet me Serbinë në dialogun e Brukselit.

Hoti në hollin e Kuvendit, tutje tha se asnjë deputet i Kuvendit nuk e përkrah idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit, derisa vlerësoi se është shqetësuese insistimi i tij për ta bërë një gjë të tillë.

“Ne jemi të shqetësuar me insistimin e vazhdueshëm të presidentit Thaçi që në mënyrë kundër kushtetuese, pavarësisht që nuk ka asnjë deputet të vetëm të Kosovës që e mbështet idenë e tij. Ai ende vazhdon me atë qëndrim.

“Si rezultat ne sot do të dorëzojmë kërkesën e re për seancë të jashtëzakonshme për të miratuar rezolutën e dorëzuar më 4 shtator në Kuvendin e Kosovës”.

“Tash është paralajmëruar edhe një konferencë e paqes në Paris, ne nuk mund të lejojmë që një person i vetëm të marrë në dorë fatet e Kosovës dhe të vendos ashtu siç i teket atij”.

“Nga 120 deputetë të Kuvendit, asnjë nuk e gjen të gatshëm që të mbështesë idenë e tij, ai do që ta çojë këtë përpara, ne duhet të mblidhemi dhe t’i themi këtij njeri stop përmes një rezolute të thjeshtë, me një pike ku thuhet se çështja e kufijve nuk është çështje e dialogut me Serbinë”.

Hoti tha se morën pjesë në seancën e sotme të Kuvendit për të miratuar marrëveshjen ndërkombëtare e cila i kërkon dy të tretat e votave dhe për të treguar siç tha, qëndrimin e tyre konstruktiv për interesat nacionale, raporton EO.

Ai përsëriti se nuk do të marrin pjesë gjatë shqyrtimit të pikave tjera të rendit të ditës, derisa ka kërkuar sërish që deputetët të mblidhen në një seancë për të shpërndarë Kuvendin.

“Ne nuk marrim pjesë në pikat tjera të seancës duke qenë se kjo është Qeveri e pakicës dhe nuk ka kuptim më që Kuvendi të vazhdojë kështu. Ne duhet të mblidhemi sa më parë, të reflektojnë të gjithë këta dhe të mblidhemi për ta shpërndarë Kuvendin”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat