I akuzuari për terrorizëm rrëfehet para gjykatës si i bleu armët

Aktuale

I akuzuari për terrorizëm rrëfehet para gjykatës si i bleu armët

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 15:50
Një seancë e gjykimit ndaj Ardian Mehmetit, Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit dhe Nuredin Sylejmanit

Nuredin Sylejmani njëri nga të akuzuarit për vepra që lidhen me terrorizëm gjatë dhënies së mbrojtjes ka treguar për takimin në të cilin ishte bërë blerja e armëve për të cilat tha se qëllimi ka qenë përfitimi material dhe jo sulmi ndaj ndonjë institucioni apo personi.

“…Ka qenë ditë e diel, Gencin e kam takuar rastësisht në Prishtinë afër muzeut dhe aty kemi biseduar. Genci më ka thënë se njëri po ja ofron disa armë, a e njeh dikë kujt mund të ja shesim e t`i fitojmë disa para… Pastaj i ka thirrë ata duke u thënë që pasi që qenka çmimi i lirë do t’i marrë tri copa. Në atë moment ai e ka thirrë shitësin në telefon dhe i ka thënë a mund të vijmë t’i marrim tre armë Dhe pasi që armët ishin të reja dhe vlera e tyre më ka thënë që është shumë më e lartë, ka biseduar me ata djemtë në telefon dhe ka qenë biseda vetëm për tri armë, pastaj kemi lënë takimin me shku me u taku”, deklaroi Nuredin Sylejmani.

Ai më tej para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Naser Foniqi, tha se takimi ishte zhvilluar në Klinë në market ‘Nora’.

“Atë ditë kur kemi shkuar te market Nora ka qenë ditë e martë sa e di, kemi biseduar me ata policët “policët e koduar” dhe si duket ata i kishin armët me vete komplet 12 copë nuk më kujtohet saktë numri i tyre. Dhe insistimi i tyre ka qenë ja me i marrë krejt ja hiq. E aty ata pastaj na kanë ofruar që të bëjmë ndërrim. Unë u kam ofruar veturën të cilën ma kanë paguar me çmim tri herë më të lartë se vlera reale”, tha i akuzuari.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Afrim Shefkiu, mohoi që gjatë asaj kohe të ketë biseduar ndonjëherë qoftë me Gencin apo me ndonjë nga të akuzuarit tjerë lidhur me vepra penale të ndërlidhura me terrorizëm. Sipas të akuzuarit Nuredin Sylejmanit qëllimi i blerjes së këtyre armëve ka qenë përfitimi material me qëllim që më pas këto armë të ja shisnin dikujt tjetër.

“Në atë kohë gjatë negocimit për shitblerjen e armëve a ke dëgjuar ndonjëherë për ndonjë sulm ndaj ndokujt, ndaj ndonjë institucioni, ndaj ndonjë grupi të njerëzve apo ndaj ndonjë shteti ose se me ato armë do të i bëhet keq ndokujt”, e pyeti i akuzuari Ardian Mehmeti.

Për çka i akuzuari tjetër Nuredin Sylejmani tha se asnjëherë nuk kishte dëgjuar të ishte diskutuar në mes të akuzuarve për ndonjë plan për të kryer sulme terroriste.

Kurse i akuzuari tjetër Musli Hyseni deklaroi se ai nuk kishte qenë aspak në dijeni për shit-blerjen e armëve.

“Arsyen se pse kemi shkuar atje nuk e di, atje kemi qëndruar 10-15 minuta në parking te restorant NORA. Gjatë asaj kohe unë kam qëndruar në veturë me Ardianin e Valonin. Genci ka dalë për të biseduar me një shok. Nuk e di për çka kanë biseduar”, deklaroi i akuzuari Musli Hyseni.

“Gjatë kthimit a ke kuptuar se për çfarë kishte biseduar Genci me të”, e pyeti të akuzuarin, prokurori Shefkiu.

“… Gjatë asaj kohe unë kam dëgjuar Gencin duke biseduar me Ardianin, kam biseduar për blerjen e atyre armëve dhe pastaj me e gjete dikë me ja shitë. Nuk më ka interesuar për të ditur më shumë. Nuk e kam lajmëruar policinë sepse nuk më është dukur serioze kjo punë pasi që më është dukur vetëm si bisedë e thjeshtë…Pastaj jemi kthyer nëpër shtëpi”, deklaroi më tej i akuzuari Musli Hyseni, i cili shtoi se asnjëherë nuk kishte dëgjuar nga ndonjëri nga të akuzuarit të flitej  për ndonjë plan terrorist dhe se tani i vije keq që është ndodhur në një situatë të tillë, shkruan kallxo.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat