Sistemi i arsimit nuk është në përputhje me nevojat e tregut

Aktuale

Sistemi i arsimit nuk është në përputhje me nevojat e tregut

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 13:31
Konferenca “Sistemi i arsimit, tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik: Sfidat dhe perspektivat”,

Problemi më i madh i ekonomisë kosovare nuk është klima politike apo sasia e investimeve, por mungesa e njerëzve që janë të përgatitur për tregun e punës dhe që kanë ato aftësi që kërkohen në ekonominë e sotme.

Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në konferencën “Sistemi i arsimit, tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik: Sfidat dhe perspektivat”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Rukiqi e ka analizuar situatën në një qasje pak më ndryshe, duke vënë theksin te mungesa e shkathtësive dhe njohurive që lidhen me tregun e punës.

Ai e ka quajtur paradoks rastin e Kosovës, pasi që sektori privat duhet të jetë konkurrues me sektorin publik.

Sipas tij, diskrepanca e madhe midis pagës mesatare në sektorin publik dhe në atë privat ka krijuar probleme për këtë të dytin sepse ka raste kur ka vende të lira të punës, por nuk ka njerëz të interesuar.

Rukiqi: Problemi më i madh mungesa e njerëzve të kualifikuar

“Diku me 100 kompani që kam pasur rastin të kem kontakte të drejtpërdrejta, problemi kyç nuk është as qasja në financa, as elementet tjera që lidhen me mjedisin politik, por është mungesa e shkathtësive, mungesa e njerëzve që janë të gatshëm të punojnë”, ka nënvizuar Rukiqi.

Anëtarja korrespodentë e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Shiroka-Pula është ndalur më tepër te defektet e sistemit arsimor për të treguar se ky sistem ka dështuar të përgatitë kuadro që çojnë përpara zhvillimin ekonomik.

Ajo vuri në pah se detyra e sistemit të edukimi është jo vetëm të aftësojë individë që mund të kryejnë një punë të caktuar, por edhe të zhvillojë tek studentët ato aftësi që mund të gjenerojnë vende të punës.

Shiroka-Pula: Sistemi edukimit të rrisë aftësitë e ndërmarrësisë

“Relacionet midis edukimit, punësimit dhe aftësisë absorbuese të sektorit privat tregon, megjithatë, sistemi i edukimit duhet të prodhojë jo vetëm dituri të mjaftueshme për tregun e punës, por të krijojë dituri ndërmarrëse, sidomos të nxisë shkathtësi dhe aftësi te studentët gjatë shkollimit, në këtë rrafsh, të sapo-diplomuarit i rritet vetëdijesimi, orientimi dhe logjika për ngritje profesionale dhe pavarësi, aftësi këto që do të ndikojnë direkt në vizionin e tyre për hapje të vendeve të reja të punës, të njohura si vetë-punësim”, është shprehur Shiroka-Pula.

Will Bartlett nga London School of Economics, duke prezantuar hulumtimin e tij ka thënë se sistemi edukimit në Kosovë nuk është në përputhje me nevojat e tregut.

Duke u bazuar në të gjeturat e hulumtimit, ai ka thënë se duhet të zbutet hendeku midis shkathtësive që ofron sistemi i edukimit dhe atyre që kërkohen nga tregu i punës

Bartlett: Kthehuni te burimet vendore

“Para krizës ekonomike ishte më e mirë se në BE, gjë që nxitej nga burimet e jashtme, që nga kriza ekonomike është zvogëluar kapitali i ardhur nga jashtë, gjë që ka shkaktuar një ngërç ekonomik në Ballkan. Ballkani duhet të kthejë ritmin e rritjes ekonomike që kishte para krizës, por këtë duhet ta bëjë duke u mbështetur në burimet vendore. Burimet humane nuk mungojë, por duhet një sistem edukimi që t’i aftësojë ata për nevojat e ekonomisë” , ka thënë Bartlett.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka kujtuar se arsimi nuk është zgjidhje për të gjitha problemet, por të gjitha zgjidhjet kanë nevojë për arsimin.

Dema ka thënë se vizioni strategjik i UP është lidhja e tregut të punës me programet studimore.

Ndërkohë, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, ka vlerësuar lartë këtë konferencë, duke shprehur bindjen se ngjarje të tilla janë në gjendje të detektojnë problemet dhe të japin alternativa të vlefshme që çojnë në zhvillim ekonomik dhe një sistem edukimi që është në funksion të tregut të punës dhe jep ndihmën e tij për zhvillimin ekonomik.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër me ç ‘rast studiues nga vende të ndryshme do të prezantojnë hulumtimet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat