AFP: Liqeni i Ujmanit, ujërat e trazuara mes Kosovës e Serbisë

Aktuale

AFP: Liqeni i Ujmanit, ujërat e trazuara mes Kosovës e Serbisë

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 14:46
Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçi tek Liqeni i Ujmanit

Të kontrolluara nga serbët por burim kyç për Kosovën, ujërat e kaltra të freskëta të liqenit të Ujmanit reflektojnë marrëdhënien e ftohtë mes ish-armiqve të luftës rreth kufirit të tyre të kontestuar.

Rezervuari 24 kilometërsh rri në kufirin që ndan Serbinë dhe Kosovën, që vazhdojnë të jenë të bllokuara në formë diplomatike edhe 20 vjet pas rebelimit etnik që i ndau të dyja.

Tani dy territoret janë nën presion për t’i normalizuar marrëdhëniet në mënyrë që të avancojnë kah bisedimet për anëtarësim në BE. Zgjidhja e çështjes së kufirit është kyç për çdo marrëveshje, raporton AFP.

Propozimi për “shkëmbim territoresh” si mënyrë për të çarë bllokadën u bë temë diskutimi në gusht pasi zyrtarë nga të dy palët aprovuan mundësinë.

Mediat lokale spekuluan se një pjesë e Serbisë e banuar me shqiptarë do të mund të shkëmbehej me një rajon me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku gjendet edhe liqeni i Ujmanit.

Grupet për të drejtat e njeriut menjëherë ngritën alarmin për propozimin i cili thanë se do të rishkruante hartën përgjatë vijave etnike, duke kujtuar gjakun e derdhur gjatë ngjarjes brutale të ish-Jugosllavisë në të ’90-at.

Por Ujmani dhe 370 milionë metër-kubikët e tij të ujit ofrojnë një kujtim tjetër se përse ndryshimi i kufijve do të ishte gjithçka por i thjeshtë.

Tre të katërtat e liqenit shtrihet në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe – rajon ku Beogradi ka mbajtur ndikimin e tij të fuqishëm dhe natyrisht do ta kërkonte nëse shkëmbimi i tokës do të vendosej në tavolinë.

Por, për Kosovën, heqja dorë nga Ujmani, një liqe artificial i ndërtuar me një pendë në lumin Ibër, do të kërcënonte furnizimin me ujë të pijshëm për më shumë se një të tretën e 1.8 milion banorëve të saj.

Liqeni shfrytëzohet po ashtu edhe për ftohjen e termocentraleve – Kosova A dhe Kosova B – që prodhon rreth 95 për qind të energjisë elektrike të Kosovës.

“Pa Ujmanin, Kosova do te ishte pa energji elektrike”, thotë Srxhan Vuloviq, shef i kompanisë së themeluar nga Beogradi “Ibar”, e cila menaxhon me liqenin.

Por ai thotë se “e drejta për të menaxhuar Ujmanin i takon Serbisë”, duke shtuar se ishte Beogradi ai që ktheu kredinë prej 78 milionë eurosh për ndërtimin e pendës gjatë ish-Jugosllavisë në të ’70-at.

- Foto-sesione rivalizuese -

Liqeni u kthye në një teatër diplomatik në shtator, pasi bisedimet e planifikuara mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë dështuan në minutën e fundit në Bruksel, ku BE-ja po i ndërmjetëson negociatat.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u nxitua për një vizitë kontroverse në liqenin e Ujmanit, pavarësisht kundërshtimit të liderëve në Prishtinë, të cilët më në fund u zbutën.

“Kishte presion nga Bashkimi Evropian... nuk kishim zgjidhje”, kishte thënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Duke qëndruar pranë pendës të cilën punëtorët e kishin dekoruar me flamuj serbë, Vuçiqi e përshkroi liqenin si një simbol të rrugës qorre.

“Ujmani tregon në mënyrën më të qartë të mundshme madhësinë e problemit me të cilin përballemi, dallimet tona, betejat tona të hidhura politike”, tha ai.

Tre javë më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u kundërvu me një foto-sesion në një varkë në liqe.

“Një vizitë normale në një prej bukurive tona”, thoshte Thaçi asokohe.

Kryenegociatori i Kosovës me Serbinë, Avni Arifi, kishte paralajmëruar se do të ishte “e papërshtatshme” të “niset ndonjë debat për liqenin” në bisedimet e ardhshme të drejtuara nga BE-ja.

“Është burim i Kosovës... dhe nuk do të flasim me Serbinë për burime tona”, ka thënë ai për AFP-në.

- Thembra e Akilit -

Agorn Dida, ekspert nga Kosova mbi çështjet e energjisë, ka thënë se “pavarësia dhe stabiliteti” i Kosovës do të rrezikoheshin nëse liqeni bëhet territor i Serbisë.

“Vuçiqi dhe miqtë e tij politikë në Serbi e dinë shumë mirë se liqeni është thembra kosovare e Akilit”, tha ai për AFP.

Kjo i mban bisedimet në një rrugë pa krye, me të dyja palët që pretendojnë pronësinë e ujërave të liqenit.

“Ujmani është gjithçka për ne”, thotë Suzana Maksimoviq, që jeton në pjesën serbe të Mitrovicës.

“Është prona e jona, siç është edhe Kosova”, shtoi 54 vjeçarja e papunë.

Por Besim Musa, një shqiptar nga pjesa jugore e qytetit, nuk pajtohet.

“Serbët mund të thonë çfarë të duan, por liqeni mbetet i yni”, tha taksisti 31 vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat