Një prokuror po e heton Kryeministrin pas Kallëzimit Penal për rritje pagash

Aktuale

Një prokuror po e heton Kryeministrin pas Kallëzimit Penal për rritje pagash

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 15:12
Ramush Haradinaj me kabinetin e tij

Kanë kaluar disa muaj prej kur Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nxjerrë një vendim që e cilësonte si konflikt interesi vendimin e qeverisë së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, për rritje pagash. Për të njëjtën çështje kallëzim penal para disa muajsh ka ngritur edhe Lëvizja Vetëvendosej, megjithatë deri sot nuk është ndërmarrë asgjë lidhur me këtë rast, përveç që është caktuar prokuori i lëndës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka kontaktuar Prokurorinë për të parë ecurinë e kësaj lëndë, por thotë se i gjithë informacioni që ka marrë, ka qenë që kjo lëndë i është ndarë një prokurori, dhe asgjë më shumë.

“ Në fakt ka muaj prej që e kemi deponuar kallëzimin penal për ngritjen e pagave për qeverinë e Haradinaj, kundrejt qeverisë Haradinaj dhe ministrave që kanë marrë pjesë në votimin e këtij vendimi që është i paligjshëm dhe që është vepër penale. Unë para disa ditëve i kam shkruar Prokurorisë për të marrë informata se ku është lënda, mirëpo vetëm më kanë njoftuar se lënda e deponuar, gjegjësisht kallëzimi penal i është ndarë një prokurori dhe aty është në procedim e shqyrtim. Mua vetëm më kanë njoftuar se lënda i është ndarë një prokurori dhe asgjë më shumë. ”, ka thënë Haxhiu.

Ajo thotë se deri sot nuk është ftuar për të dëshmuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka informacione nëse dikush tjetër është ftuar që të dëshmoj lidhur me këtë rast.

 “Nuk kam informacione tjera se si ka shkuar çështja, a është ftuar dikush për të dëshmuar. Të paktën unë nuk kam pasur ftesë nga Prokuroria për të dëshmuar, meqë jemi vetë ne që e kemi ngrit kallëzimin penal”, ka shtuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje

Sipas saj ka përpjekje që kjo çështje të neglizhohet, pasi bëhet fjalë për një vepër në të cilën janë përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit.

“Ka një tendencë që kjo çështje të neglizhohet,  për shkak të problemeve që kemi me sistemin e drejtësisë, dhe kapjen e sistemit. Kur ka të bëjë ndonjë lëndë me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin dhe ministrat, hezitojnë ta marrin sepse kanë frikën se mos shantazhohen dhe kërcënohen me largim nga vendi i tyre i punës. Prandaj është e qartë që ka hezitim për t’u marrë me këtë çështje”, shprehet deputetja Haxhiu.

Ajo ka thënë se për të quar këtë çështje përpara, duhet një presion publik nga mediat dhe opozita.

“Duhet një presion publik nga mediat dhe opozita dhe në saktësisht si Vetëvendosje për ta quar këtë lëndë përpara” ka përfunduar deputetja Albulena Haxhiu.

Media ka provuar që të marrë edhe një përgjigje nga Prokuroria lidhur me këtë rast, por kanë qenë të pa qasshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për rritje pagash të zyrtarëve shtetërorë për 4 për qind e kishte marrë me 12 janar të vitit 2018.

Pas këtij vendimi, kishte pasuar vendimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit i datës 29 janar , e cila kishte konstatuar se ky vendim paraqet konflikt interesi.

“Zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat) që kanë votuar këtë vendim thuhet në një opinion të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’” thuhej në vendimin e AKK-së.

Gjykata Kushtetuese në muajin qershor të vitit 2018, kishte nxjerrë një vendim që veprimi i qeverisë Haradinaj nuk ishte kundër-kushtetues, por nuk ishte marrë me pjesën nëse një vendim i tillë shkel ligjin.

Kryeministri Haradinaj, ishte paguar  1,443.20 euro, ndërsa me vendimin e marrë kjo pagë ishte rritur në 2,950 euro, rritje kjo për 100 për qind. Për një vit paga e kryeministrit do i marrë buxhetit shtetëror 35400 euro (35 mijë e 400 euro).

Njësoj do të bëhet edhe me zëvendës kryeministrat, e që qeveria Haradinaj i ka pesë sosh. Ata deri para vendimit të qeverisë, kanë pasur pagë prej 1,356.30 euro, e që tashmë do ta kenë 2,500 euro. Për një vit të vetëm, 150000 (150 mijë) euro do të shpenzohen për pagat e zëvendës kryeministrave.

Nuk  qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash do të paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind.

20 ministra nga 21 ministri (për shkak se Dardan Gashi, nuk paguhet si ministër i Diasporës, për arsye se merr pagë si zëvendës kryeministër) si kompensim për këtë gjashtë mujorë, do e ‘rrjepin’ buxhetin e shtetit prej 87600 euro. 480000 (480 mijë) euro tash e tutje do i marrin buxhetit çdo vit ministrat e qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, zëvendësministrat do të jenë të vetmit që do t’u zbritet paga, nga 1,182.50  euro, ata do të paguhen për muaj me 1,150 euro. Kjo një ulje page prej 32.50 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat