Numri i veteranëve që po marrin pension vazhdon të rritet

Aktuale

Numri i veteranëve që po marrin pension vazhdon të rritet

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 21:25
Foto ilustrim

Mbi 44 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës pensionet e veteranëve, gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2018.

E, vetëm në muajin korrik, shteti ka ndarë 6.4 milionë euro, për 36.794 veteranë.

Të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se nga janari, kur në listë për ta marrë këtë pension ishin 36.794 persona, e deri në muajin korrik, kësaj liste i janë shtuar rreth 977 persona të tjerë.

Ministri i Punës, Skënder Reçica, ka thënë se, aktualisht, mbi 37 mijë persona marrin pensione dhe se ky numër po rritet vazhdimisht.

Ndërkaq, shefi i Logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm në TMK, Kadri Kastrati, ka thënë se, pasi UÇK-ja përmbylli mandatin e saj më 13 qershor, ishin regjistruar 13,458 veteranë.

Debat i madh për listën e veteranëve është bërë pasi ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, para se të jepte dorëheqje, kishte dorëzuar në Prokurori aktakuzën për dyshimet në lidhje me keqpërdorimet që ishin bërë me listat e veteranëve.

Për numrin e veteranëve është bërë debat edhe mes Presidenti Hashim Thaçi, i cili insiston se nuk ka më shumë se 15 mijë veteranë, dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili insiston se vetëm në Zonën e Dukagjinit kanë qenë mbi 60 mijë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, të cilën e dërgoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për lëndën që trajton çështjen e veteranëve të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat