VV: Ata që premtuan liberalizim e vizave duhet të japin dorëheqje

Aktuale

VV: Ata që premtuan liberalizim e vizave duhet të japin dorëheqje

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 14:17
Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, ku siç duket qytetarët e saj edhe në vitin 2018, nuk do të mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve në Evropë.

Ishin pikërisht deklaratat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj në lidhje me liberalizim e vizave, të cilat shtyen Lëvizjen Vetëvendosje që gjatë ditës së sotme të dalin në konferencë për media.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli kërkoi nga të gjithë ata që kanë premtuar liberalizim e vizave të japin përgjegjësi, e madje edhe dorëheqje.

Pacolli: Ata që premtuan liberalizimin e vizave duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin dorëheqje

“Ramush Haradinaj  i cili u bë kryeminstër duke premtuar liberalizimin e vizave brenda 90 ditëve dhe i cili në emër të vizave i fali Malit të Zi 8200 hektar tokë, po ashtu edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i drejtësisë Abelard Tahiri  dhe ministrja e integrimeve evropiane, Dhurata Hoxha duhet që sot të mbajnë përgjegjësi dhe të japin dorëheqje për situatën e krijuar”, tha Pacolli.

Pacolli mes tjerash ka shtuar se shumë shtete tash më janë kundër liberalizimit të vizave, madje edhe ato që e kanë përkrahur shtetin e Kosovës, për shumë vjet.

Pikërisht për këtë , ajo akuzoi qeverinë se një gjë të tillë po ua fshehin atyre dhe qytetarëve të Kosovës.

Pacolli: Shumë shtete janë kundër liberalizimit të vizave, qeveria po fsheh një gjë të tillë

“ Ne kemi disa të dhëna tani se nga takimet e fundit që janë bërë, pra takime teknike, pas vendimit të Komisionit Evropian dhe pas vendimit të Parlamentit në këto takime po del se një numër i madh i shteteve janë kundër liberalizimit të vizave. Qeveria ka më shumë informacione, mirëpo këto nuk po i ndan me qytetarët e Kosovës, nuk po i ndan as me neve si deputet, e as me juve si gazetarë”, tha Pacolli.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu tha se kohëve të fundit ka ndryshuar gjuha e ekzekutivit në raport me liberalizimin e vizave. Ajo i ka quajtur skandaloze deklaratat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj që BE është albanofobe.

Haxhiu: Si të veproj BE kur sheh rastet e fundit që po ndodhin në Kosovë

“Si të veproj Bashkimi Evropian kur një prokuror siç ishte rasti Blakaj detyrohet të ikë nga Kosova për shkak të kërcënimeve që merr dhe atë nga figurat e larta? Si të veproj Bashkimi Evropian kur përcjelli ngjarjet sikur ajo kur policia dhe prokuroria dalin me deklarata të ndryshme në kohën kur djali i kryespihunit Shpend Maxhunit zihet me drogë dhe armë? Si të veproj Bashkimi Evropian kur sheh se kryeprokurori i shteti Aleksandër Lumezi del në mbrojtje të djalit të Shpend Maxhunit? Si të veproj Bashkimi Evropian kur për pazare dhe pisllëqe vëllau i presidentit të Kosovës sulmon fizikisht dy persona”, deklaroi Haxhiu.

Përndryshe, që nga viti 2009, udhëheqësit e Kosovës kanë përmendur data për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat