Milaim Zeka nesër në gjyq për mashtrim dhe pastrim parash

Aktuale

Milaim Zeka nesër në gjyq për mashtrim dhe pastrim parash

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 20:15
Milaim Zeka

Milaim Zeka, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Nisma Socialdemokrate, nesër pritet që të dalë përsëri para gjyqit, kësaj radhe nën akuzat për mashtrim e pastrim të parave.

Në këtë rast nesër pritet që të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.

Së bashku me Zekën në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu.

Kujtojmë se herën e kaluar kishte dështuar mbajtja e kësaj seance gjyqësore për arsye se në atë kohë Milaim Zeka ndodhej në paraburgim në lidhje me një rast tjetër, ku ai dyshohet për kanosje ndaj një prokurori.

Arsyeja e dështimit të seancës ishte për shkak se Gjykata nuk kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në seancë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat