Ish-gazetari i luftës: Kosova nuk merr frymë përmes gabzherrit të Serbisë!

Aktuale

Ish-gazetari i luftës: Kosova nuk merr frymë përmes gabzherrit të Serbisë!

Nga: Bota Sot Më: 29 tetor 2018 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Ish gazetari i luftës, dhe njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu është deklaruar për raportet Kosovë-Serbi

Shahu vlerëson se pritja që Kosova të njihet nga Serbia është bërë stres kombëtar dhe sipas tij Kosova nuk duhet të mendojë se çfarë do të bëjë Serbia, por ta rregullojë shtetin dhe jetën e qytetarëve, pasi duke menduar për njohjen nga Serbia, ka mbetur në frena.

Image
Rexhep Shahu

“Është krijuar një opinion se Kosova të rrijë në pritje të njohjes së saj nga ana e Serbisë dhe kjo pritje sikur është bërë stres kombëtar. Mendoj se Kosova nuk duhet as ta mendoj se çfarë do të bëjë Serbia, por të punojë të rregullojë e ta bëjë dinjitoze shtetin dhe jetën e qytetarëve të saj. Duke e bërë ankth e makth kombëtar se a po na njeh apo jo Serbia, kur po na njeh, duket se Kosova ka mbetur në frena, ka mbetur vendnumëro”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, drejtuesit e Kosovës duhet ta dinë se Kosova nuk jeton për oreks të Serbisë, me leje të saj dhe nuk bëhet më e mirë apo keqe sipas oreksit të Serbisë, se Kosova është e lirë dhe e pavarur.

“Drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe gjithë opinioni publik duhet ta dinë e të jenë thellë të bindur se Kosova nuk merr frymë përmes gabzherrit të Serbisë, Kosova nuk jeton për oreks të Serbisë, nuk jeton me leje të Serbisë, nuk do të bëhet as më e mirë, as më e keqe sipas oreksit të Serbisë, Kosova nuk është shtet i lirë e i pavarur me leje të Serbisë”, ka theksuar Shahu.

Ai thotë se deklaratat për kushtëzim të Serbisë nga BE janë nxitje për përkrahje të pavarësimit total të Kosovës dhe shqiptarët duhet ta fshijnë nga mendja çdo kushtëzim të Serbisë.

“Shqiptarët duhet ta fshijnë nga mendja çdo kushtëzim të Serbisë dhe të mendojnë pa Serbi, pasi Serbia është dëbuar nga Kosova, ata që e mendojnë të kushtëzuar jetën me Serbinë ata janë ende nën pushtim dhe kanë mendësi koloniale. Deklarata e deputetit gjerman dhe të ministrit Hoxhaj janë nxitje e përkrahje të pavarësimit total të Kosovës”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat