Udhëtime pafund në emër të lobimit, s’ka liberalizimin as këtë vit

Aktuale

Udhëtime pafund në emër të lobimit, s’ka liberalizimin as këtë vit

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 15:31
Kadri Veseli

Tash e pesë muaj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka ndërmarr një tur diplomatik nëpër qendrat kryesore të Evropës për lobim, në mënyrë që të liberalizohen vizat për Kosovën. Përkundër kësaj dhe shumë udhëtimeve të institucioneve tjera, këto lobime pritën të mos jenë përcaktuese, pasi njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shoqëria civile po shprehen skeptik se Këshilli i Ministrave do t’i jap dritën e gjelbër Kosovës.

Ndërsa, aspekt tjetër është dhe harxhimi i parasë publike, vetëm në periudhën kohore prill-qershor, sipas një raporti të KDI-së udhëtimet jashtë vendit të deputetëve i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës, 112,236.13 euro. Pjesa dërrmuese në bileta dhe akomodim.

Deputeti opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj njëherësh nënkryetari i parë i komisionit për integrime evropiane, e ka vlerësuar se kryetari Veseli dhe Qeveria në përgjithësi janë duke bërë vetëm retorik boshe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Sipas tij,  mungesa e bashkëpunimit institucional po bënë që lobimi mos të arrin efektin e duhur.

Ndërsa, ka qenë i rezervuar se mjetet financiare për këtë lobim kanë shkuar dëm.

Zemaj: Unë nuk mundem të konkludoj se këto janë shpenzime koti

“Unë nuk mundem të konkludoj se këto janë shpenzime koti, sepse diplomacia parlamentare është e kushtueshme, dhe duhet të jetë në kordinim të vazhdueshëm dhe të plotë. Në mënyrë që efikasiteti i këtyre vizitave të jetë i saktë, konkret me tema të caktuara dhe se procesi i lobimit të  ketë pikat e veçanta aty ku duhet ndikuar”, thotë  Zemaj.

Kurse, ndryshe nga deputeti Zemaj këtë çështje e sheh hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Adelina Hasani,.

Ajo e ka cilësuar si aventurë të vonuar lobimin e kryeparlamentarit Veseli.

Sipas saj, kjo iniciativë duhet të ishte marr më herët nga Kuvendi i Kosovës dhe se udhëtimet e tilla vetëm janë duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.

Hasani: Pjesëmarrja e një delegacioni të madh  po e dëmton buxhetin

“Në këtë delegacion të kuvendit për lobimin e liberalizimit të vizave janë duke marr pjesë dhe shumë njerëz ,  që doemos  është duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës. Ndërsa në anën tjetër është mangësi e një strategjie drejtë lobimit për liberalizimin e vizave. Ne e dimë se kemi probleme me disa shtete mike që janë kundër heqjes së vizave për Kosovën,  por dhe që nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet”, thekson Hasani.     

Tutje, ajo ka shtuar se ka probleme dhe brenda institucioneve të shtetit, duke pasur parasysh kriterin e fundit të BE-së, që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. E sipas saj, duhet bërë më shumë në këtë aspekt.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti e ka quan të domosdoshëm këtë udhëtim diplomatik të Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas tij, tash është faza finale në marrjen e vendimit dhe duhet zgjerohet përtej kryeparlamentarit, pasi është politikë kombëtare.

Por, pavarësisht kësaj, profesori Hoti ka thënë se nuk mund të jenë përcaktuese këto lobime, sepse shtetet marrin vendime në bazë të interesave që ato kanë.

Ndërsa, skeptik është shprehur se në dhjetor mund të ketë votim në favor të Kosovës për liberalizim të vizave.

Hoti: Gjasat për liberalizim janë të vogla

“Jemi gjysmë, gjysmë, apo pesëdhjetë me pesëdhjetë, si duket ende nuk i kemi bindur gjitha shtetet që të marrin vendim pozitv për Kosovën. Këtë drejtim janë dy çështje kryesore që po i mbajnë pezull vendet anëtare të BE-së. E para është frika nga emigracioni që po përballet Evropa.  ...Çështja e dytë është se disa vende janë para zgjedhjeve, nëse do merrin një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave mbase do të humbisnin tek vota e elektoratit tyre. Këtu e kam fjalën për një vend që është shumë përcaktues, e që është Gjermania, po e dhe Franca”, përfundon ai.

Nga ana tjetër,  në një përgjigje me shkrim nga ana e kabinetit të kryeparlamentarit, nuk i kanë komentuar akuzat se Kadri Veseli po bënë tur personal diplomatik, por e kanë cilësuar si vendim të drejtë këtë iniciativë të tij.

Ndryshe nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kabineti i kryetarit të Kuvendin janë shprehur më optimist se mund të ketë votim pro, përkundër se disa vende kanë shprehur skepticizëm për shkak të frikës së emigracionit.

“Detyrë e secilit institucion është që të punojë në realizimin e qëllimeve që kemi si shtet, të punojmë për të drejtat e qytetarëve tanë. Votimi në Parlamentin Evropian, në Komisionin LIBE dhe rekomandimi nga Komisioni Evropian janë dëshmia se Kosova ka plotësuar kriteret. Vendimi i Këshillit është politik. Pra s’ka të bëjë me kriteret. Përkrahja nga këto institucione dhe e shumë shteteve tregon edhe për efektin që ka pasur ky lobim”, thuhet në përgjigjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat