Lirohet nga akuzat e shtetit suedez ish-kryetari i AKR-së në Lipjan, Sabit Pacolli

Aktuale

Lirohet nga akuzat e shtetit suedez ish-kryetari i AKR-së në Lipjan, Sabit Pacolli

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 17:58
Behgjet Pacolli dhe Sabit Pacolli

Ish kryetari i AKR-së, dega në Lipjan, njëherësh biznesmeni Sabit Pacolli, është liruar të hënën nga akuzat e shtetit të Suedisë i cili qëndroi prej rreth 11 muaj në paraburgim nën dyshimet për mashtrime dhe keqpërdorime me fonde të ndryshme gjatë vitit 2015 në këtë shtet.

Pacolli ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga shteti i Suedisë.

Ai, para pak minutash ka shkruar edhe një status në profilin e tij në Facebook ku ka treguar për ballafaqimin me drejtësinë.

“Thonë që duhet të jetë bërë një herë e padrejtë në jetë, që ta dish vlerën e drejtësisë. Në jetën time kam hasur në shumë padrejtësi, në trajtim jo të drejtë nga individë të ndryshëm, vlerësim jo i drejtë i personalitetit tim, dhe demotivim të thellë. Mirëpo nga gjithë kjo mora një veçori, të jem i drejtë në jetë, të jem i drejtë për persona dhe të vlerësoj gjërat pa shtrembërime. I drejtë për të gjithë, të jap meritat aty ku është merituar, lëvdatat aty ku është punuar, këshillat aty ku është gabuar, dhe masat aty ku është bërë padrejtësi”, ka shkruar Pacolli, duke shtuar se është përballur gjatë një pjese të madhe të jetës me këtë gjë.

“Jam shndërruar në njeri parimor, njeri që e udhëheqin parimet, dhe që gjithmonë i vë ato para çdo veprimi të vet, para çdo vendimi, se a duhet të bëhet apo jo”, ka shkruar ai.

Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar edhe Naim Murseli, këshilltar i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Lajm i mirë nga Suedia. Sot është liruar Sabit Pacolli nga të gjitha akuzat. Ai është mbajtur 11 muaj padrejtësisht në paraburgim në Suedi. Drejtësia ka fituar”, ka shkruar Murseli.

Gjykata e Qarkut në Malmo, Suedi, në fund të vitit 2017 kishte arrestuar Sabit Pacollin për, siç thuhej asokohe, mashtrim të madh më 2015 dhe 2017. Ai ishte arrestuar derisa po shkonte në një takim në Agjencinë Suedeze të Tatimit, raportonte “Sydsvenskan”.

“Desha të sigurohem që hetimi ynë preliminar të përfundojë para hetimit të Agjencisë Suedeze të Tatimit”, kishte thënë prokurori Bo Birgerson.

Menjëherë pas seancës dëgjimore, Gjykata e Qarkut kishte lëshuar urdhrin e arrestit.

Sipas Birgerson, arrestimi i tij erdhi si pasojë e dyshimeve të besueshme për keqpërdorim të parave.

Edhe gjykata e Qarkut dha vlerësim të njëjtë: ekzistonte rreziku se Pacolli do të shkatërronte hetimin nëse do të lirohej dhe ekzistonte rreziku se ai do të ikte me aeroplan.

Leif Ljungholm, prokuror publik mbrojtës i Pacollit, kishte thënë se klienti i tij i mohon akuzat.

Sabit Pacolli, biznesmen dhe ish-zyrtar i Aleancës Kosova e Re, para arrestimit, kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” se ka vjedhur mbi 200.000 euro nga kompania HSB, ku ka qenë edhe kryetar i kësaj shoqate për pronësi banesash, me diku rreth 750 apartamente. Shoqatat e tilla kanë kryesi të zgjedhur nga pronarët e apartamenteve. Kryesi quhen persona juridikë dhe lidhin kontrata financiare me banka e ndërmarrje për rinovime të fondit banesor, etj.

Sabit Pacolli pandehej se bashkë me dhëndrin e tij, Astrit Bërdynën, kishin marrë kryesinë e një shoqate të tillë në Malmo, të cilën pastaj e kishin zhvatur. Ata pandehen se kanë inkasuar kredi prej 15 milionë eurosh nga bankat suedeze për riparime banesash që më pas nuk janë realizuar.

Gazetarët suedezë pohojnë se dyshohet që Pacolli “me këto para të vjedhura” ka ndërtuar një vilë vetjake, si dhe një fabrikë pijesh të frutave, në Kosovë. Aty përmendin dhe emrin e Behgjet Pacollit, për të cilin aludojnë se mund të ketë ndihmuar familjarin.

Titulli i artikullit ishte: “Shoqata e banimit u grabit - kreu i shoqatës ndërton fabrikë pijesh e vilë në Kosovë”. Artikulli theksonte se Sabit Pacolli ka pritur Behgjet Pacollin gjatë vizitës së këtij të fundit në Suedi.

Poashtu, artikulli e përshkruan gjendjen e ankthit në të cilën jetojnë tani banorët e apartamenteve të shoqatës së zhvatur në Malmo. Bëhet fjalë për qindra familje në një lagje migrantësh e refugjatësh, të cilët papritur bëhen detyrues kolektivë ligjorë për borxhe të shoqatës, citonte Albeu një shkrim të mëhershëm të gazetës suedeze.

Bankat kishin ndërprerë çdo bashkëpunim me ta, gjersa shoqata të shlyente borxhet milionëshe. Dhe ata nuk mundeshin as të shisnin apartamentet e veta, pasi bankat paralajmëronin çdo blerës eventual për gjendjen.

Sikur të mos mjaftonte kjo, banorëve të shoqatës u janë djegur edhe makinat në parkingje të shoqatës, nga molotovë të hedhur pas zbulimit të aferës.

Sipas hulumtimit që gazeta pretendon ta ketë kryer, kjo grabitje e Pacollit kap vlerën e dy milionë krunave, ose mbi 200.000 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat