Autobusi nga Kosova u sulmua në Serbi, reagon MPJ

Aktuale

Autobusi nga Kosova u sulmua në Serbi, reagon MPJ

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 14:28
Autobusi

Të hënën në mbrëmje është sulmuar me gurë një autobus me udhëtarë që po shkonin nga Kosova në Austri. Sulmi është bërë në Krushevc të Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar pas këtij sulmi, ata për  mediat vendore kanë thënë se presin që organet e rendit në Serbi të marrin masa kundër autorëve të këtij sulmi.

Nga MPJ kanë thënë se shprehin për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike -burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Republikës së Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Europës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht. Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti. Shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata”, kanë thënë nga MPJ.

Ata kanë shtuar se lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Kjo ministri thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave. 

"Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë shtetit fqinj respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të Lirisë së Lëvizjes", kanë theksuar nga MPJ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat