Haradinaj kërkon unitet për interesat nacionale, thotë se inatet politike vazhdojnë pastaj

Aktuale

Haradinaj kërkon unitet për interesat nacionale, thotë se inatet politike vazhdojnë pastaj

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 15:26
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shpreson që nesër të gjendet një gjuhë e përbashkët në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, Haradinaj tha se është inkurajues fakti që do të marrë pjesë edhe pozita. Shefi i ekzekutivit, tha se duhet t’i ruajnë interesat nacionale dhe të ketë unitet në ruajtjen e kufijve të Kosovës ashtu siç kishte në çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Pas mbledhjes së 73-të të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj u përgjigj para gazetarëve lidhur me seancën e thirrur nga opozita, që pritet të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë.

Ai tha se është lajm i mirë që edhe pozita do të marrë pjesë në seancë, dhe se nuk duhet të ngutet askush me deklarata, siç i quajti ai irrituese, por Haradinaj tha se duhet të ruhet harmoni.

Haradinaj: Nuk besoj që ka subjekt politik në Parlament qëështë kundër ruajtjes së territorit

“Besoj që nesër do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët, nuk besoj që ka subjekt politik në Parlament që është kundër ruajtjes së territorit të kufijve, dhe kushtetutshmërisë së vendit tonë. Besoj që do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët nesër, shpresoj shumë që do ta gjejmë. Është inkurajues fakti se në këtë seancë të thirrur nga opozita do të marrë pjesë edhe pozita, dhe mendoj që është lajm i mirë, nuk ka nevojë askush me u nxitu me dhënë deklarime irrituese, ta ruajmë njëfarë harmonie, shembulli i një uniteti për transformimin e FSK-së ishte një shembull perfekt, se si dimë t’i ruajmë interesat tonë. Gara për pushtet ka me vazhdu edhe në të ardhmen, por disa interesa duhet t’i ruajmë, t’i ruajmë interesat nacionale bashkë, ndërsa garën për pushtet do ta kemi këtu, ajo nuk ikë”, tha ai.

Haradinaj tha se Aleanca për ardhmërinë e Kosovës nesër do të jap kontributin e saj në seancë.

Haradinaj: Duhet të bashkohemi për interesa nacionale, inatet politike vazhdojnë pastaj

“Unë besoj që edhe Aleanca, edhe PDK, edhe Nisma edhe partitë politike, nuk e kanë problem me mbrojt territorin, ju e dini qëndrimin tim për territor dhe kufij, të vazhdueshëm, dhe punën që kemi bërë, besoj që është mirë, si kemi ditë me u bashku për tranzicionin e Forcës së Sigurisë dhe dhënien e mandatit në ushtri, mendoj që i njëjti karakter është e ruajt territorin, kufijtë, kushtetutën, duhet të dimë të bashkohemi, pastaj ka inate të tjera që i vazhdojmë, ka pluralizëm e demokraci, në shumë tema të tjera është e logjikshme që do të jemi në kundërshtim”, tha ai.

Ndërsa për 28 nëntorin, si datë e mundshme për mbajtjen e seancës së ardhshme për FSK-në, Haradinaj tha se çmojnë këtë datë por procesi nuk ndërlidhet me 28 nëntorin.

Haradinaj shpreson se partitë politike do të bashkohen për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shpreson në një gjuhë të përbashkët mes partive politike sa i përket çështjes së dialogut.

"Shpresoj që nesër do ta gjejmë një gjuhë te përbashkët. Është inkurajues fakti që në seancën e thirrur nesër nga opozita do të marrë pjesë edhe pozita. Shpresoj të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Besoj që partitë politike nuk e kanë problem me e mbrojt territorin, siç kemi ditë të bashkohemi për FSK-në, edhe kjo çështja e dialogut është e rëndësishme të bëhet ashtu. Nesër e kemi një mundësi, Aleanca do të ndihmojë në ketë çështje", tha Haradinaj në konferencën me gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat