Transformimi i FSK-së në ushtri e bënë Kosovën ofruese të sigurisë

Aktuale

Transformimi i FSK-së në ushtri e bënë Kosovën ofruese të sigurisë

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 11:34
Konferenca FSK dhe Partnerët”

Transformimi i FSK-së në ushtri, do të kontribuojë që Kosova të bëhet ofruese e paqes dhe jo vetëm konsumuese e saj. Kështu është thënë në konferencën FSK dhe Partnerët”, e cila është mbajtur sot.

Krerët e institucioneve të Kosovës në prani të komandantit të KFOR-it dhe komandantit të Gradës së Iwova-s kanë thënë se transformimi i FSK në ushtri do të thotë një partner më shumë për ta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se transformimi i FSK do të thellojë partneritetin e Kosovës me këto vende.

Ai ka potencuar se ky transformim është legjitim dhe demokratik, ndërsa ka deklaruar se ky tranzicion dëshmon pjekurinë e Kosovës dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi së bashku.

Haradinaj: FSK nuk do të zëvendësojë KFOR-in

“FSK nuk do të zëvendësojë KFOR-in, KFOR-i është KFOR, është i mirëseardhur në shtetin tonë. FSK nuk do ta zëvendësojë NATO-n, prania e NATO-së në shtetin tonë është e mirëseardhur  përgjithmonë. Ne dëshirojmë t’i bashkëngjitemi NATO-s, dëshirojmë të shërbejmë me juve. FSK gjithashtu me tranzicion do të jetë e gatshme të shërbejë me juve, me forcat e juaja të armatosura, çdo kund, kudo në botë. Pse po e them ketë, posa ju të mund të konfirmoni që FSK është e gatshme, ne jemi të gatshëm si Kosovë, pra ju duhet të trajnoni, do të kemi kapacitete operacionale të FSK kurdo që ju jeni të gatshëm, ne jemi të gatshëm si Kosovë”, tha Haradinaj.

Sipas tij  mbështetja, investimet, për profesionalizimin dhe trajnimin e FSK janë të vlefshme për Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme që të bëhet anëtare e Interpolit, Haradinaj ka shprehur edhe dëshirën që vendi të jetë anëtar i NATO-s.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka siguruar se me transformimin e ushtrisë, NATO do të ketë një partner më shumë.

Veseli: Ne do të jemi me ju, FSK do të jetë krah i fuqishëm i juaji

“Ne në Kuvendin e Kosovës tanimë kemi proceduar tre ligjet e nevojshme, i kemi miratuar. Do të lëvizim bashkërisht në partneritet, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme përveç asaj e cila është marrëveshje jona e përbashkët e partneritet dhe e vazhdimësisë së një pune të përbashkët. Ne do të jemi me ju, FSK do të jetë krah i fuqishëm i juaji, ju ftoj edhe sot që të na ndihmoni, t’i përkrahni këto vajza e djelmosha të cilët janë të jashtëzakonshëm. Për ne FSK është nderi i Kosovë, është krenaria e Kosovës, janë njerëzit më të sjellshëm në Kosovë, të cilët e bëjmë punën e vet. Kjo do të jetë edhe në të ardhmen përcaktimi i yni, paçja dhe partneriteti me botën të cilës i takojmë, e ajo është partneriteti perëndimor, partneriteti euroatlantik”, tha Veseli.

Kurse, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, duke folur për konferencë, ka thënë se ka qëllim që të mbledhë të gjithë akterët mbështetës të FSK-së, me qëllim të koordinimit të mbështetjes së ofruar nga vendet partnere me të cilat MFSK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Berisha: Jemi zotuar për t’u bërë ofrues rajonal i sigurisë jo vetëm konsumues i saj

“Jemi në fazën e vendimmarrjes politike për fillimin e procesit të tranzicionit, proces ky i cili është duke ndodhur pikërisht në 10 vjetorin e themelimit të FSK-së. Procesi i tranzicionit i cili do të jetë një proces gradual dhe do të zhvillohet sipas rekomandimeve të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit. Ne jemi zotuar për t’u bërë ofrues rajonal i sigurisë jo vetëm konsumues i saj, duke përfshirë këtu edhe anëtarësimin përfundimtar në NATO”, tha Berisha.

Ministri i FSK-së u shpreh se ndër vite kanë  zhvilluar partneritet të fuqishëm dhe të sinqertë me NATO-në, KFOR-in dhe partnerët e tjerë strategjik.

Berisha tha se gjatë procesit të tranzicionit do të jetë shumë e rëndësishme që të vazhdohet ky bashkëpunim në mënyrë të hapur, ndërsa dobitë e këtij bashkëpunimi sipas tij janë të dyfishta, ku sipas tij FSK do të punojë sipas standardeve të përcaktuara nga NATO.

Ai ka folur edhe për largimin e një numri të pjesëtarëve të FSK nga komunitetet, ku ka thënë se janë duke punuar që t’i marrin të gjitha masat që ky presion ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb të zbutet.

Komandanti i FSK-së  Rrahman Rama, është shprehur se bashkëpunimi bilateral është jetik për FSK dhe për Kosovën. Ai u shpreh se FSK i ka ndërtuar kapacitetet e veta fal mbështetjes së partnerëve të saj.

Rama ka siguruar të gjithë pjesëmarrësit në konferencë se tranzicioni i FSK-së është një proces i koordinuar me të gjithë.

Rama: Tranzicioni është transparent dhe një proces i koordinuar me të gjithë juve

Video “Do t’iu siguroj që procesi i tranzicionit nuk është një proces ad-hoc, tranzicioni është transparent dhe një proces i koordinuar me të gjithë juve. Gjithçka është në harmoni me Kushtetutën tonë, vizioni jonë është që të jemi pjesë e integrimeve euroatlantike. Gjithçka që kemi zhvilluar deri më tani i kemi bërë me partnerët tanë dhe bazuar në standardet e NATO-së. Prandaj, po e kërkojmë mbështetjen tuaj për ta arritur vizionin tonë. ne i kuptojmë sfidat me të cilat po përballemi sot në kuptimin e përzierjes në organizatën tonë nga ana e jashtme, duke kërcënuar serbët e Kosovës pjesëtarë të FSK-së dhe kërcënimi i tyre nuk është i pranueshëm. Por, thjeshtë iu sigurojmë që FSK është një organizatë profesionale dhe ne jemi të udhëhequr nga profesionalizimi e jo nga emocionet. Jemi duke punuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallime. FSK sot është një forcà « kredibile që është formësuar së bashku me partnerët. FSK sot përfaqëson shtetin tonë si një ekip shumetnik, FSK sot qëndron e gatshme për të marrë pjesë në operacionet paqësore me të gjithë të tjerët për partneritet”, tha Rama.

Në konferencën  “FSK dhe Partnerët” kanë marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Salvatori Cuoci, komandanti i Gardës Kombëtare të Iwova-s Timothy Orr dhe drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s me MFSK/FSK, gjeneral Uwe Becker. Por, mediat janë larguar nga konferenca kur kanë marr ata fjalën.

Përveç përfaqësuesve të vendeve partnere, në konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s,  KFOR-i,  si dhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë nga shtete të ndryshme.

Konferenca do të zgjasë edhe nesër

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat