Vetëvendosje nuk përjashton mundësinë e protestave

Aktuale

Vetëvendosje nuk përjashton mundësinë e protestave

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 15:45
Kuvendi i Kosoves

Kuvendi nuk miratoi rezolutën e LDK-së kundër idesë së Presidentit Hashim Thaçit, për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për propozimin e rezolutës votuan vetëm 50 deputetë, nga 90 sa ishin të pranishëm. Deputetët e opozitës lëshuan sallën pas dështimit të miratimit të rezolutës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se sipas kushtetutës deputetët betohen se do të mbrojnë territorin, mirëpo sot nuk vepruan kështu.

Abdixhiku: Fatkeqësi që mazhoranca nuk mbështeti opozitën

“Është vërtet fatkeqësi që mazhoranca nuk arriti të mbështesë pikën e vetme të rezolutës së opozitës që kishte të bënte me deklarimin politik të parlamentit të Republikës së Kosovës se territori i Kosovës është i panegociueshëm nga askush dhe që mbi këtë pikë mazhoranca kërkonte të bënte kushtëzime dhe pazare të tjera të delegacionit përfaqësues e kështu me radhë. Për opozitën e rëndësishme ishte të ndërpritet procesi i diskutimit të temës së këmbimit të territorit dhe të redifinimit territorial të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai ka shtuar tutje se në këtë fazë të zhvillimeve politike ndërkombëtare ky qëndrim politik ishte i domosdoshëm.

Abdixhiku ka komentuar edhe takimin e Presidentit Thaçi me kryeministren serbe Ana Brnabic në Minsk të Bjellorusisë, takimin për të cilin kryesuesi i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, ka thënë se në të është kritikuar qasja e Gjermanisë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje foli deputeti Rexhep Selimi, për të cilin pozita dhe Qeveria zgjodhën Thaçin para integritetit të shtetit.

Selimi: Mazhoranca dhe qeveria zgjodhën Thaçin para integritetit territorial

“Deputetët e mazhoranës ashtu si edhe Qeveria në mes të sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit territorial të Republikës dhe Thaçit, prapë zgjodhën Thaçin. Pra, kjo ishte ndarja e sotme në Kuvendin e Kosovës në mes të opozitës dhe mazhorancës, mazhoranca prapë vazhdoi në mbrojtje të Thaçit duke rrezikuar integritetin, plan i cili është gjithsesi në tavolinën e Thaçit dhe Vuçiqit”, tha ai.

Selimi ka thënë se janë vetëm dy rrugë; ose të mbrohet integritet territorial, ose të refuzohet një gjë e tillë .

Sipas deputetit të VV-së, një pjesë e opozitës po e ndihmon Qeverinë, duke aluduar në deputetët që braktisën Vetëvendosjen për të kaluar në Partinë Socialdemokrate.

Selimi: Një pjesë e opozitës po i mundëson qeverisë projektet e këqija

“Në parlamentin e Kosovës në institucionet e Kosovës janë dy rrugë ose ta mbrojmë integritetin territorial të cilin po e rrezikon për fat të keq edhe kreu i shtetit në këtë rast Thaçi, ose ta refuzojmë një gjë të tillë siç po vazhdojmë ta bëjmë ne me një pjesë të opozitës, pra me LDK-në, mbetet në mes një pjesë e opozitës e cila po vazhdon të njëjtën gjë ta bëjë edhe më tutje t’ia mundësojë Qeverisë dhe mazhorancës projektet e këqija për Kosovën”, tha Selimi.

Ai tha se nuk i përjashtojnë protestat, sidomos në një situatë kur po duken shumë të domosdoshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat