Zeka: Të burgosurve t’u lejohen paketat familjare. Haliti: Prej paketave po i marojnë kah 2-3 shpia prej burgut

Aktuale

Zeka: Të burgosurve t’u lejohen paketat familjare. Haliti: Prej paketave po i marojnë kah 2-3 shpia prej burgut

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 10:37
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka shprehur shqetësim për gjendjen e të burgosurve.

Zeka, i cili kohëve të fundit qëndroi disa ditë në paraburgim, tha se dikush duhet t’ua garantoj atyre disa të drejta themelore.

Ai përmendi paketat familjare, të cilat nuk u lejohen të burgosurve.

Sipas Zekës, kjo është një padrejtësi për të cilën duhet reagim.

Për këtë reagoi kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, i cili tha se Policia, Prokuroria e institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë i dinë më mirë këto çështja.

“Të burgosurit aty i kanë të gjitha. Munden me ble çka të duan. Prej atyre pakove kinse familjare, ka njeri që prej burgut i ka maru dy-tri shpia”, tha Haliti.

Për këtë replikë kërkoi deputeti Zeka, por fjala nuk iu lejua nga Haliti.

Deputetët dyshojnë se VV organizoi ‘tollovinë’ për punësim në Gjemani

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ngritur dyshime se organizimi për punësim në Gjemani, që ndodhi ditë më parë në Prizren, është i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me qëllim të mos liberalizimit të vizave.

Fillimisht ishte deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj ngriti çështjen e kompanisë gjermane që ofronte mundësi punësimi në Prizren.

Veselaj-Gutaj: Organizimi në Prizren për punësim me qëllime të caktuar

“Disi pa paragjykuar konsideroj se ishte një zhvillim aspak normal e më së paku i duhur për rrethanat në të cilat po kalojmë si shtet por përtej kësaj shoh edhe qëllime të caktuara në këtë ngjarje....dua të dijë nga udhëheqësit e nivelit qendror dhe nivelit lokal, a janë në dijeni për një organizim të tillë në çfarë cilësie është organizuar një mobilizim i tillë për punë jashtë vendit, a kanë leje këta persona apo kjo kompani, a duhet organet shtetërore të analizojnë cilësinë e organizime të tilla duke pas parasysh që këto organizime e sfidojnë në tersi edhe aparatin shtetëror të vendit“, ka thënë ai.

Zeka: Ka fakte që njerëzit e VV po i organizojnë këto gjëra në Prizren

“Ka fakte dhe na kanë ardhur informacione që njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje po i organizojnë këto gjëra në Prizren dhe ata duhet ta marrin përgjegjësinë, janë këta njerëz që duan ta ulin në zero imazhin e Kosovës para ndërkombëtarëve për mos liberalizimin e vizave, sepse këta jetojnë vetëm në skandale, kaos dhe turbullira. Lëvizja Vetëvendosje jeton vetëm kur qytetarët i nxit për gjëra që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Mbi bazën e kësaj dola për të thënë se ka informacione dhe është shumë mirë që Policia e Kosovës dhe hetuesit e prokurorët po merren me ngjarjet në Prizren mbrapa të cilave ka dyshime që janë njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Po ashtu, Zeka ka kërkuar që çdo të burgosuri t’i kthehet e drejta për paketa, ushqim, pasi kjo e drejt e njeriut iu ka hequr atyre. Ndërsa, me ligjin për paga ka kërkuar që gardianët të kenë pagën e policit.

Haxhiu: Motra e deputetes Arbërie Nagavci po plaçkit mësimdhënësit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka deklaruar se organizatat joqeveritare po plaçkitin mësimdhënësit.

Ajo në seancën e re, tha mësimdhënësve po iu bëhet plaqka nga organizata joqeveritare për trajnime, duke ia marrë nga 250 euro për programin udhëheqje arsimore.

Sipas saj, ky trajnim është i obligueshëm për t’u bërë drejtor. Haxhiu tha se një ndër organizatat është edhe ajo e motrës së deputetes Arbërie Nagavci, e cila po iu bën ftesë mësimdhënësve që të kryejnë këto trajnime.

Haxhiu: Motra e deputetes Arbërie Nagavci po plaçkit mësimdhënësit

“Rreth 1 milionë për vjet ministria ndan buxhet për trajnime e në anën tjetër bëhen ftesë publike që  edhe zonja Nagavci i qon ftesa publikisht kandidatëve, mësimdhënësve, publikisht i fton të paraqiten sa më parë për shkak të numrit të kufizuar për këto trajnime. Pra, organizata që udhëhiqet nga Krenare Leshi që është motra e zonjës Nagavci...por unë i kam fakte që zonja Nagavci para tri dite ftesë publike i dërgon duke i thënë se duhet të vinë për shkak të numrit të kufizuar, pra mësimdhënësit po plaçkiten dhe po detyrohen të kryejnë trajnimeve”, tha ajo.

Ajo shtoi se në këtë proces ka edhe zyrtarë të MASHT-it, janë të involvuar.

Deputetët me dilema rreth shtesave për fëmijë

Edhe pse kishe përfunduar debati, deputetët e Kuvendit të Kosovës, vazhduan edhe sot dilemat për se si duhet të ndahen shtesat e fëmijëve.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, si propozuese e rezolutës në lidhje me shtesat e fëmijëve, tha se PDK ka nevojë për koordinim shtesë.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se e mbështesin idenë që t’i ndahen shtesa fëmijëve, por brenda atij buxheti duhet të kategorizohen fëmijët.

Krasniqi: Nuk duhet të marrë si fëmija i një familje të varfër si një i miliarderi

“Është pak problematike në kontestin e situatës në Kosovë  që fëmija i një familje që jeton me ndihmë sociale, pra në varfëri, të marrë shumën e njëjtë si fëmija i një milioneri“, ka thënë ai.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilalll Sherifi tha se shtesat për fëmijë i dedikohen të gjithë fëmijëve pa marrë parasysh a kanë apo nuk kanë.

Sherifi: Prindërit tonë kanë marrë shtesa për fëmijë dhe pa dallime

“Nëse e quajmë shtesa për fëmijë, ne të gjithë kemi qenë fëmijë dhe e dimë që prindërit tonë kanë marrë shtesa për fëmijë dhe pa dallime a ka qenë i punësuar në punë të shtetit apo në punë private, shtesat për fëmijë kanë qenë të rregulluara me ligj“, tha ai.

Në fund u pajtuan që të krijohet një komision për të harmonizuar qëndrimet e grupeve parlamentare.

Seanca vazhdoi me miratimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kinematografinë, projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bibliotekat, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Sportit.

Po ashtu, janë miratuar raporti vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, Raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina Sh. A për vitin 2017, raporti vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017, si dhe emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Ndërkohë, projektligji për Ndërmarrjet Sociale, raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017 dhe projektligji për transmetuesin publik të Kosovës, nuk kanë kaluar.

Fillon seanca, lista serbe nuk i voton disa projektligje

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka nisur vazhdimin e seancës me njoftimin se gjashtë ligjet e parapara në rend dite nuk do t’i votojë grupi parlamentar i listës serbe.

Sipas agjendës për votim janë paraparë raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, projektligji për Noterinë në lexim të dytë, propozim-rezoluta nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë, votimi në lexim të dytë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Hekurudhat e Kosovës, projektligji për shërbimet postare në lexim të dytë dhe projektligji për miniera dhe minerale, në lexim të dytë.

Haliti: Lista serbe nuk do t’i votojnë ligjet

“Do të fillojmë nga pika e 7 e rendit të ditës, për shkak se e dimë që deri në pikën e 7 grupi parlamentar i listës serbe nuk do t’i votojnë ligjet, prandaj deri të kemi një marrëveshje shtesë eventuale, ne nuk kemi arsye që t’i qesim në votim dhe mos të votohen, vec na marrin kohë. Edhe dje unë mendova që e bëmë një marrëveshje për t’i kaluar në variantin që unë mendoja, por unë kisha keqkuptuar dhe iu kërkojnë falje edhe juve”, tha ai.

Ndërkohë, edhe pse ka përfunduar debati, sërish ka nisur debati për propozim rezolutën nga Debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.

LDK mungon, Kuvendi përsëri pa kuorum

Për dallim prej herëve të tjera kur deputetët e LDK-së vetëm shënoheshin dhe bojkotonin seancën, sot ata kanë zgjedhur që ta bojkotojnë në tërësi dhe mos të shkojnë fare në sallë.

Kjo mund të bëjë që të dështojë në mungesë kuorumi edhe seanca e sotme e paraparë që të fillojë në orën 10:00.

Vendimin për mos pjesëmarrje në seancë LDK-ja e ka marrë mbrëmë rreth orës 21:30. Ketë e kanë konfirmuar deputetë të kësaj partie.

Gjatë seancës së djeshme Kuvendi nuk ka miratuar rezolutën e LDK-së përmes së cilës synohej që Presidentit Hashim Thaçi t’i ndalohej përfshirja e shkëmbimit të territoreve apo  “korrigjimit të kufijve” në dialogun me Serbinë.

Pas kësaj seance të jashtëzakonshme, Kuvendi vijoi punimet e seancës plenare të datës 13, 14, 20 shtator dhe 15 tetor, përcjell KosovaPress. Me mungesë kuorumi, Kuvendi nuk arriti të miratojë asnjë nga pikat e parapara. 

Vazhdon seanca plenare (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare të ndërprerë dje në mungesë kuorumi.

Gjatë seancës së djeshme Kuvendi nuk ka miratuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) përmes së cilës synohej që Presidentit Hashim Thaçi t’i ndalohej përfshirja e shkëmbimit të territoreve apo  “korrigjimit të kufijve” në dialogun me Serbinë.

Me 50 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk arriti ta miratojë projekt-rezolutën.

Pas kësaj seance të jashtëzakonshme, Kuvendi vijoi punimet e seancës plenare të datës 13, 14, 20 shtator dhe 15 tetor.

Me mungesë korumi, Kuvendi nuk arriti të miratojë asnjë nga pikat e parapara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat