Partitë politike aktive në terren, paralajmërim për zgjedhje

Aktuale

Partitë politike aktive në terren, paralajmërim për zgjedhje

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 13:00
Kadri Veseli

Partitë opozitare tash e dy muaj kanë filluar takimet me strukturat e tyre në pothuajse gjitha degët në Kosovë. Por, së fundi dhe vet partitë që janë në koalicion qeverisës janë duke bërë tubime mobilizuese me simpatizantët dhe anëtarët e tyre.

Vetëm fundjavën që shkoi të  gjitha partitë në pushtet, duke filluar prej PDK-së, AAK-së, NISMës  dhe AKR-së, kishin tubime me strukturat e tyre në qytete të ndryshme të Kosovës.

Partia e shefit të ekzekutivit, Ramush Haradinaj zgjodhi bastionin e vet, Deçanin si thirrje  për mobilizim të të gjitha strukturave të partisë.

Zëvendësi i tij në pushtet dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ishte në Skenderaj dhe Drenas, ku prej këtij lokacioni kërkoi nga anëtarësia atje ta fuqizojnë partinë.

AKR-ja e  shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli  shpalli zgjedhjet e brendshme ku  u shpreh mjaft i entuziazmuar me masën që ishte mbledhur në një nga hotelet në periferi të Prishtinës.

Ndryshe, prej këtyre, partia e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli kishte zgjedhur si vend për takim anëtarësinë  në Ferizaj, sipas tij vetëm për t’i informuar strukturat e veta me sukseset e kësaj qeverie.

Kështu, si kryeparlamentari këto tubime si informuese po i shohin dhe krerët e partive tjera në pushtet.

Megithatë ndryshe nga liderët e partive politike mendojnë analistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Të gjithë këta këto tubime po i konsiderojnë si një para fushatë  të partive në pushtet, ndërsa kanë thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme.

Drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare,’ÇOHU’,  Arton Demhasaj këto tubime me strukturat  të  partive në  pushtet i konsideron si një  minifushatë  parazgjedhore..

Në të kundërtën sipas tij nuk ka logjikë  që  partitë  në  pushtet të  takohen me qytetarë , pasi puna e tyre tregohet  përmes projekteve që  ata i realizojnë.

Demhasaj: Kur partitë  në  pushtet dalin në  terren për takime me struktura, së shpejti mund të  ketë  zgjedhje

“Kur shohim tendenca të  tilla për partitë  që  janë  në  pushtet,  dalin në  terren dhe takojnë  strukturat e tyre, qytetarët ose aktivistët e partive politike është  një  indikacion që  së shpejti mund të  ketë  zgjedhje. Në  një  mënyrë  këta po përgatitëe për zgjedhje. Kështu kjo mundet me tregu  këtë  logjikë , ndoshta partitë  në  pushtet që  më  së  tepërmi e nuhatin  rënien e Qeverisë  ose shkuarjen në  zgjedhje fillojnë  të  dalin në  fushata të  tilla. Këta nuk i quajnë  fushata të  tilla, por vetëm takime me strukturat e veta. Për ta është  normale, por në  këtë  aspekt mundet të  konsiderohet se në  një  të ardhme të  afërt mundet të  ketë  zgjedhje, kjo është  arsyeja e vetme që  ata po dalin në  terren”, thotë Demhasaj për KosovaPress.

Demhasaj ka thënë  se për të  janë  vetëm dy alternativa, të zhbllokohet situata politike në  Kuvend, e në  rast që nuk ndodh  vendi të shkojë në zgjedhje.

Demhasaj,  mendon se  ndikim në  rrëzimin e kësaj Qeverie mund të  ketë  presidenti i vendit, Hashim Thaçi në momentin që atij i bllokohet rruga e dialogut me Serbinë

Demhasaj: Momenti që  presidentit Thaçi i bllokohet rruga, mundet me ndodh  që  përmes ish partisë  së  tij ta rrëzojë Qeverinë

“Mundet me ndodh një  skenar i tillë  që  presidenti Thaçi përmes ish partisë  së  tij me inicu procesin e votë besimit të  rrëzimit të  qeverisë , ta shkarkoj qeverinë  dhe vendi të  shkoj në  zgjedhje” ka përfunduar ai.

I njëjtë në mendim me të ka qenë dhe njohësi i rrethanave politike, Behlul Beqaj.

Ai  zgjedhjet e reja i konsideron të domosdoshme sepse Kosova, siç thotë ai është në një udhëkryq dhe deshën apo nuk deshën partitë politike në vend, zgjedhjet janë një realitet që duhet të ndodhin.

Beqaj: Zgjedhjet një realitet që duhet të ndodh

“Indice për zgjedhje të reja në Kosovë ka pasur që nga dita e parë kur është formuar koalicioni në të cilat janë partitë që kanë dëshiruar me çdo kusht të mbesin në pushtet, dhe janë partitë që kanë dëshiruar më çdo kusht të vijnë në pushtet… 01:48 Unë mendoj që jemi në një situatë udhëkryqi ku zgjedhjet deshëm apo nuk deshëm, deshi apo nuk deshi opozita duhet të trajtohen si një realitet i cili duhet të ndodh”, tha  Beqaj.

Beqaj komentoi dhe videomesazhin e kryeparlamentarit Veseli, ku ai ka ftuar për unitet dhe zhbllokim të situatës politike në vend. Sipas tij, është një përpjekje e vonuar, e cila nuk mund të bashkojë  skenën politike në vend.

Por,  Valmir Ismajli nga nga Demokracia Plus(D+) është skeptik se do të ketë zgjedhje.

Sipas tij, zgjedhjet nuk varen vetëm nga skena politike në vend, por dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Ismajli: Peshë të madhe për zgjedhje në Kosovë ka bashkësia ndërkombëtare

“A do të ketë, apo jo zgjedhje në Kosovë, gjithmonë mund të themi që  nuk varet vetëm prej skenës politike kosovare. Një bukur peshë të madhe ka dhe bashkësia ndërkombëtare, edhe nëse do të kishte një pajtim të madh mes subjekteve politike, por të kemi një jo nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë zgjedhje nuk do të kishte”, thotë Ismajli.

Aktivizimin e partive për  takime me strukturat partiake Ismajli, e sheh si luftë mes partive në pushtet.

 Sipas tij, një rivalitet i ashpër është duke ndodhur mes PDK-së dhe Nismës,  pasi kjo e fundit është duke fituar bukur shumë terren ndaj ish bashkëpunëtorëve  politik.

Ismajli: Luftë mes NISMA-së dhe PDK-së për elektorat

“Mund të themi se ka një lloj lufte, sidomos mes Nismës dhe PDK-së, sepse siç dihet Nisma ka arritur të marr një pjesë të elektoratit të PDK-së, qoftë me nxitjet  që po i bënë përmes  punësimit në disa komuna. Për këtë arsye tashmë PDK-ja ka vërejtur rrezikun, duke  përdorur siglën se gjoja kemi zgjedhje të brendshme, ata janë duke organizuar takime me elektoratin e vet. Megjithaatë, brenda mesazhit që  ka PDK, shihet se ata janë duke përgatitur për zgjedhje”, thotë Ismajli.

Partitë opozitare ka mbi gjashtë muaj që kanë kërkuar zgjedhje të reja në Kosovë, sipas tyre, kjo Qeveri është e pakicës, pasi ata nuk i kanë numrat.

Madje në mënyrë indirekte një ‘kërcënim’ ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj e ka bërë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke thënë se pozitat nuk janë të përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat