Vjen kundërpërgjigja e Arbërie Nagavcit ndaj Teuta Haxhiut

Aktuale

Vjen kundërpërgjigja e Arbërie Nagavcit ndaj Teuta Haxhiut

Nga: D.RR Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 16:15
Arbërie Nagavci ndaj Teuta Haxhiut

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci i është kundërpërgjigjur deputetes nga AAK-ja, Teuta Haxhiu, pasi kjo e fundit e akuzoi Nagavcin për keqpërdorime në trajnimet në kuadër të arsimit.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ndjen keqardhje për Haxhiun, pasi ajo ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit.

Deputetja e VV-së ka shkruar se sot paskan qenë të organizuara sulmet dhe shpifjet ndaj partisë së saj.

Postim i plotë:

Keqardhje për Teutën

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu paska keqpërdorur foltoren për të shpifur dhe gënjyer publikisht për mua dhe angazhimet e mia profesionale.

E tëra që mund të them për zonjën në fjalë është se më vjen keq të shoh se si ajo është edhe anëtare e Komisionit për Arsim, duke qenë krejtësisht jo kompetente e injorante në çështjet e arsimit e poashtu aspak profesionale apo e kujdesshme në aspektin etik.

Për ata që nuk më njohin dhe për opinionin e gjërë mund të deklaroj se unë kam më shumë se njëzet vite që punoj në fushën e arsimit në pozita të ndryshme dhe më shumë se dhjetë vite që jam e angazhuar në trajnime, konsulenca e bashkëpunime tjera profesionale me institucione dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. 
Gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur kënaqësinë e bashkëpunimit me institucione e organizata shumë kredibile dhe kompetente në fushën e arsimit siç janë : KulturKontakt (Austria); Këshilli i Evropës / Drejtoria për Qytetari dhe Pjesëmarrje Demokratike / Departamenti i Edukimit; GIZ / CDBE ; Pearson; KEC (Qendra për Arsim e Kosovës); GIZ IS & EU; BEP/USAID; MASHT; KRCT; KCIC; DRIT’ ; KEC; KAHCR; CIVITAS KOSOVA etj.

Angazhimet dhe bashkëpunimet e mia me këto organizata janë shumë profesionale dhe kanë ndodhur për shkak se jam e kualifikuar dhe certifikuar, e atë edhe me shumë certifikata ndërkombëtare.

Gjithnjë në punën time, kam respektuar plotësisht kërkesat profesionale, ligjore e etike, kam japur maksimumin tim, kam fituar përvoja të mira nga bashkëpunimet me kolegët dhe shumë mikesha e miq të mirë. Andaj dhe do të vazhdoj angazhimin tim profesional, duke dhënë kontributin tim sado modest në përmirësimin e cilësisë në arsim, ku rezultatet i kemi shumë të ulëta.

Edhe këtë fundjavë bashkë me shumë kolegë do të jemi të angazhuar në trajnimet e organizuara nga KulturKontakt Austria dhe MASHT, e gjatë fundjavave tjera të muajit në angazhime me trajnimet për Udhëheqje Arsimore dhe në punëtorinë e organizuara nga Këshilli i Evropës.

Unë do të vazhdoj punën dhe do të jap kontributin tim për përmirësimin e cilësisë në arsim, fatkeqësisht ka dhe të tillë që kanë zgjedhur që me shpifije, e dërdëllisje të mundohen të largojnë vëmendjen nga keqpërdorimet e shumta të qeverisë e pushtetit. Fundja këtu dhe nuk mund të ndihmoj shumë, secili punon, flet e vepron aq sa di e si është i edukuar.

Po të ishte e interesuar zonj. Haxhiu, mund të pyeste për çfardo pyetje që ka pasur, mua ose organizatën apo thënë më mire oraganizatat me të cilat unë bashkëpunoj, mund të pyeste dhe mësimdhënësit të cilët kanë qenë pjesë e trajnimeve, por duket se qëllimet e saj janë tjera e të vetmen gjë që ajo e din është se foltorja e kuvendit i jep imunitet, andaj dhe e keqpërdorë atë, përndryshe nuk do të guxonte të bënte deklarata të tilla jashtë Kuvendit, pasi do të paditej për shpifje dhe do të paguante për shpifjet e saj.

Dhe në seancën e sotme, shpifjet ndaj LV-së dhe neve deputetëve të saj paskan qenë disa dhe të orkestruara, por është e kotë. Situata është e qartë, në përpjekjet për të ndihmuar PDK-në në mbrojtjen e presidentit Thaçi, AAK dhe partit në koalicion po mbeten gjithnjë e më shumë të varura në vullnetin e Listës Serbe . Kur s'mund e s'dini të punoni për përgjegjësitë që keni, mirreni me shpifje, keqpërdorime e abuzim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat